E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët nuk dinë çka votojnë

Kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së që të rivotohet një mocion tjetër, pas atij të votuar dje në Kuvend, me rekomandimin për Qeverinë që të mos e vazhdojë dialogun me Serbinë po u ndriçuar fati i të pagjeturve, për shoqërinë civile është mjaft shqetësuese. Sipas përfaqësuesve të saj, deputetët nuk janë duke ditur as çka po votojnë dhe as për çka rrinë në seancë, duke fyer në këtë mënyrë zgjedhësit e tyre.

Gjatë ditës së djeshme janë votuar katër rekomandime që kanë dal nga interpelanca për të pagjeturit, midis të cilëve edhe ai më të cilin i kërkohet Qeverisë së Kosovës kushtëzimi i vazhdimit të bisedimeve me Serbinë me ndriçimin e fatit të të pagjeturve.

Deputetët në interpelancën e djeshme kanë votuar rekomandimet me 55 vota për, 9 kundër dhe asnjë abstenim, por vetëm pas pak minutash Grupi Parlamentar i PDK-së ka kundërshtuar këtë miratim duke u ‘arsyetuar’ se disa nga deputetët e tyre nuk e kanë ditur se çka kanë votuar.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë për Kosovapress se kjo tregon më së miri për integritetin jashtëzakonisht të ulët dhe të dobët të atyre që kanë zgjedhur qytetarët si përfaqësues të tyre në Kuvend.

“Kjo nuk është hera e parë që deputetët pas përfundimit të seancës shkojnë tek sekretariati dhe kërkojnë heqjen e votës së tij. I bien pishman për atë çështje që kanë votuar apo pas një periudhe të caktuar kërkon si grup parlamentar të rivoton një çështje ndryshe nga ajo se çka kanë votuar. Kjo për neve paraqet një ndër shqetësimet më serioze. Pse? Sepse kjo flet për integritetin jashtëzakonisht të ulët, të dobët të vet përfaqësues që i kanë zgjedh qytetarët e Kosovës. Nëse ata nuk janë të vetëdijshëm për çka kanë votuar unë nuk e di se çfarë pune tjetër ata kanë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij, kjo e para tregon për mungesë të integritetit qoftë profesional, qoftë individual, qoftë njerëzor dhe e dyta tregon një fyerje për inteligjencën e kësaj popullate dhe njerëzit të cilët kanë votuar për ata.

Selmanaj ka thënë se për çështje për të cilat nuk kanë ndikim të drejtpërdrejt në situatën politike në vend votohet pa menduar fare. Ai ka pyetur se çfarë do të ndodhte në një rast i cili mund të ketë reperkusione të mëdha për shtetin e Kosovës, kur deputeti voton pa menduar fare?

Ai thotë se nëse këta deputet bëjnë gabime të tilla duke mos e ditur se çka po votojnë, atëherë cila është perspektiva e këtij vendi.

Për më tepër, ai vlerëson se kjo legjislaturë, e cila është tani në Kuvend, është nga më të dobëtat që nga paslufta e këndej.

“Fatkeqësisht, kjo legjislaturë nuk po them në tërësi, por pothuajse janë një ndër legjislaturat më të dobëta që kanë prodhuar zgjedhjet që nga paslufta e këndej. Kontributi i tyre profesional në komisione është minimal dhe qasje e tilla edhe në seancë. Këta deputet nuk janë të denjë, flas në përgjithësi për të përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës. Dhe këtu është vetëm një zgjidhje vota e qytetarëve është ajo që duhet të ndryshoj këtë strukturë politike të përfaqësuar në kuvend”, ka theksuar ai.

Edhe drejtori menaxhues në Lëvizjen FOL, Petrit Zogaj ka thënë përmes postës elektronike për Kosovapress se këto veprime po tregojnë jo seriozitetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Është për të ardhur keq që përfaqësuesit e popullit edhe pas një periudhe të gjatë të funksionimit të institucioneve të Kosovës, në këtë rast të Kuvendit të Kosovës, votojnë ligje, rregullore e rezoluta pa dijeninë tyre. Kjo tregon jo-seriozitet të madh nga ana e deputeteve dhe për më shumë tregon mungesë të logjikes institucionale të komunikimit. Në anën tjetër, kjo praktik e keqe do të duhej të ndalet sa më shpejt, në mënyrë që të behet traditë e një institucioni, i cili përfaqëson direkt interesantë e qytetarëve të vendit”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, mungesa e interesit të deputetëve që të debatojnë, bënë që ata të votojnë edhe pa e ditur se çka kanë votuar.

“Është vërejtur në shumë raste që një pjesë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk kanë aspak interes që të debatojnë për problem të caktuara, duke u përpjekur që sa më parë të mbyllin debatin dhe të votojnë. Pikërisht për këtë shkak votojnë për pa e ditur çka. Po ashtu, një pjesë e deputeteve debatojnë vetëm gjatë kohës sa janë duke u transmetuar në televizionin publik dhe në momentin që ndalet transmetimi, ndalet edhe debati. Kjo tregon për mungesë të kulturës institucionale dhe politike të deputeteve të Kosovës”, ka theksuar ai.

Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që votohet e më pas deputet i bien pishman votimit të tyre. Raste të tilla kanë ndodhur gjatë këtij viti kur pasi janë votuar mocionet është kërkuar tërhiqja e votës apo rivotimi. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›