Ndërpritet seanca, shkak mungesa e kuorumit

Paraprakisht Grupit Parlamentar i PDK-së ka kërkuar që të dilet me një mocion të harmonizuar mes partive parlamentare, kërkesë kjo e cila është kundërshtuar nga partitë opozitare të cilat e kanë lëshuar seancën.
Më pas është kërkuar nga udhëheqësi i seancës që të shkohet me një pauzë 15 minutëshe, por as pas kësaj pauze deputetët e opozitës nuk janë kthyer në sallë, gjë që ka bërë të ndërpriten punimet e seancës, për të vazhduar punimet ditën e martë në ora 10:00.
Të pranishëm në sallë kanë qenë vetëm 36 deputetë.
Gjatë ditës së djeshme janë votuar disa qëndrime që kanë dal nga debati i javës së kaluar për të pagjeturit.
Mirëpo ligjvënësit edhe dje kanë votuar një mocion me disa rekomandime të cilat janë pothuajse në ngjashme me ato të qëndrimeve të debatit, e të cilat i kërkojnë Qeverisë së Kosovës që vazhdimin e bisedimeve me Serbinë ta kushtëzojnë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Opozita lëshon seancën
Deputetët e opozitës kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës, kur është kërkuar nga Grupi Parlamentar i PDK-së që të ketë një mocion tjetër, nga ai i votuar dje, me harmonizim të qëndrimeve të gjitha partive parlamentare.
Por me këtë nuk janë pajtuar tri partitë opozitare LDK, Lëvizja Vetëvendosje dhe AAK, të cilat e kanë lëshuar seancën.
Me të filluar seanca, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka kërkuar nga gjitha grupet parlamentare për harmonizim të qëndrimeve.
“Kemi dëshirë të jemi unikë, mirëpo në vlerësojmë se në seancën e djeshme kemi të nxjerr dy dokumente për të njëjtën çështje. Kanë dal dy dokumente për këtë çështje të pa harmonizuara me njëra tjetrën. I propozojmë seancës të bëjë harmonizimin e këtyre dy dokumenteve që njëra ka dalë në emër të komisionit e tjetra në emër Kimete Bajraktarit. I kisha lut deputetët të bëjmë harmonizimin të dalim me një dokument unik të përbashkët me qëllim t’ju mundësojmë institucioneve tona se si duhet të veprojë”, ka thënë Grabovci.
Por shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se dje ka përfunduar votimi dhe nuk ka asgjë diçka të paqartë për LDK-në. Ai ka thënë se në qoftë se hidhet në votim mocioni i PDK-së, LDK-ja do të lëshoj seancën.
“Për LDK votimi ka përfundu dje. Ka qenë çdo gjë që sipas procedurave është e kundërta e kësaj që tentohet, kjo që tentohet të bëhet është shkelje e procedurave. LDK nuk dëshiron të jetë pjesë e shkeljeve të rënda që ky kuvend mund t’i bëjë me kësi propozimi. Mos të harrojmë që rekomandimet këtu në kuvend ka dy javë i kanë pa të gjithë. Nuk është problem u deputetëve që tjerët se kanë marrë vesh çka po votojnë, nuk dëshirojmë mu bo pjesë e shkeljeve të procedurave”, ka thënë Beqiri.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se nuk do të besojë që ka asi deputet që lexojnë rekomandimet dhe nuk dinë çka kanë lexuar.
“Edhe ne jemi kundër kthimit të këtij mocioni në Kuvend. Janë kry të gjitha procedurat e rregullta. Po ashtu është e pavërtetë, janë pallavra ato që i tha Grabovci. Nëse i lexoni dokumentet nuk ka kundërthënie në rekomandime. Ato duhet të zbatohen se janë votu nga kuvendi. Kjo është e pabazuar nuk tha kurrgjo pos dëshirës për me kthy në rivotim. Nuk du me besu që ka asi deputet idiot që kur i lexojnë katër pika nuk dinë çka lexojnë”, ka thënë Ymeri.
Ai ka shtuar se këto dy dokumente nuk duhet të harmonizohen se janë dokumente që dalin nga dy diskutime të ndryshme dhe duhet zbatuar në tërësi.
Edhe Kimete Bajraktari nga AAK-ja ka kundërshtuar propozimin e PDK-së. Ajo konsideron se janë dy dokumentet që janë votuar në rregull si mocioni ashtu edhe rekomandimet e komisionit.
Ndërsa shefja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejene Selmani ka kërkuar harmonizimin e qëndrimeve.
Këtë e ka përkrahur edhe Grupi Parlamentar 6+. Por udhëheqësi i seancës, Xhavit Haliti kur ka dashur të qes në votim mocionin e PDK-së opozita ka lëshuar seancën. Kjo ka bërë që të shkohet në një pauzë 15 minutëshe. /kosovapress/