E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët nuk njohin thelbin e Rezolutës 1244 të OKB

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk e dinë që në Kosovë vepron vetëm një rezolutë, ajo e vitit 1999. Parlamentarët tanë ndalojnë përpara çdo mikrofoni, sidomos kur konstatojnë që zëri i tyre do të dëgjohet jashtë kufijve të Shqipërisë. Mjaftojnë që të flasin duke menduar se i përgjigjen çdo lloj pyetjeje, pa e menduar mirë përgjigjen që japin. Një tjetër grup deputetësh, një pjesë e të cilëve nuk janë zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, por kanë dalë nga listat shumë-emërore, as nuk e kishin idenë që e vetmja rezolutë që është në fuqi në Kosovë, është ajo me nr. 1244, miratuar nga Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e tij të 4011-të më 10 qershor 1999. Gazetari i "Fiks Fare", me një mikrofon në dorë, që kishte logon e një televizioni që nuk ekziston, pra "Kosova e pavarur", ka pyetur disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë për rezolutën e re që ka hyrë në fuqi në Kosovë, sipas të cilës Kosova dhe Serbia duhet të jenë një. Asnjë prej pesë deputetëve që ka pyetur gazetari i "Fiks Fare" nuk është kujtuar se vetëm një rezolutë është në Kosovë, ajo me nr. 1244.

Intervistat janë kryer përpara se Kosova të fitonte pavarësinë. Ka nga ata deputetë që e pranojnë që kjo rezolutë do të sjellë pavarësinë e Kosovës, ka nga ata që e shohin si meritë të ndërhyrjes së SHBA dhe Evropës. Madje deputeti i PD-së në Lushnjë, zoti Blerim Çela, jo vetëm që nuk kujtohet që në Kosovë nuk vepron asnjë rezolutë tjetër, por jep përgjigje për gazetarin e "Fiks Fare", duke theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë atë që bëjnë politikën botërore dhe është i bindur se nuk do ta lejojnë Serbinë që të marrë Pejën dhe Gjilanin.

Intervistat

Pyetja: Sipas një rezolute të re, Kosova do të fitojë pavarësinë në kuadër të Serbisë?

1- Petrit Gjoni, deputet i PAA-së nga listat shumë-emërore:

"Plani Ahtisari është më i miri, më i pranueshmi".

2-Sali Shehu, deputet i PD-së në zonën 20:

"Fati e deshi që zoti t‘i falte pavarësinë Kosovës në bashkëpunim me SHBA".

3. Neritan Ceka, deputet i PAD: "Është një jerm, një ëndërr e parealizueshme".

4 - Alfred Gega, deputet i PR-së nga lista shumë-emërore: "E vetmja alternativë do të jetë pavarësia".

5 - Blerim Çela, deputet i PD-së në zonën 62 në Lushnjë: "Planin Ahtisari e përkrahin SHBA, ato e bëjnë gjithë politikën botërore".

Pyetja nr. 2 - Po serbët duan të marrin Pejën dhe Gjilanin?

Përgjigjja: - "Peja dhe Gjilani denbabaden janë me popullsi shqiptare, pse ta marrin, se ka qenë kisha e Pejës"?

Sondazhi

Qytetarët nuk i njohin ligjvënësit e zgjedhur me votat e popullit

Deputetë anonimë të Kuvendit të Shqipërisë

Një pjesë të madhe të deputetëve që janë të ulur sot në sallën e Kuvendit të Shqipërisë nuk i njeh askush. Janë emra të panjohur, janë persona që nuk e kanë ngritur asnjëherë zërin në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, për të sjellë shqetësimet e banorëve që i kanë zgjedhur. Ata janë të pranishëm në seancat parlamentare, por janë memecë, a thua se paguhen vetëm për të heshtur. Por kur përpara ju del ndonjë kamera, atëherë nuk ngurojnë të përgjigjen, edhe pse tregojnë injorancë. Për të treguar se sa i njeh populli deputetët e tij, bëmë dy sondazhe. Me një listë me emrat e disa deputetëve, zërin e të cilëve nuk e kemi dëgjuar asnjëherë në Parlament, një gazetar i "Fiks Fare" doli dhe pyeti disa qytetarë. Emrat e deputetëve ua serviri qytetarëve si emra shumë të kërkuar nga FBI-ja. I pyeste se nëse i kishin dëgjuar ndonjëherë emrat: Albert Divjaka, Albert Faruku, Alfred Gega, Angjelina Kola, Bukurosh Stafa, Dashnor Sula, Ëngjëll Cara, Fatmir Xhindi, Galip Ramadhi, Genc Sharku, Gëzim Musabelliu, Gjokë Vuksani, Gjovalin Prenga, Hajrulla Paturri, Hamit Kosta, Idriz Xhumara, Mehmet Hoxha, Mehmet Xheka, Mevlan Xhindoli, Ndue Shpani, Parid Teferiçi, Pashk Ujka, Petrit Gjoni, Pilo Kerri, Piro Lutaj, Rahim Kaleci, Ramiz Çobaj, Sadri Abazi, Shkëlqim Ziri. Të gjithë ngrinin supet dhe asnjë nuk e konstatoi se emrat që lexoheshin ishin emrat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Për të gjithë qytetarët e intervistuar, emrat që lexonin ishin të panjohur, nuk i kishin dëgjuar asnjëherë. Vetëm një i intervistuar njohu emrat e deputetëve Rrahim Kaleci dhe Sadri Abazi. Nëse ndjek me vëmendje seancat parlamentare, vëren se të paktën 1/4 e deputetëve që ndodhen në sallën e Kuvendit dhe paguhen me miliona është inefiçente. Këta deputetë, që përfaqësojnë forca të ndryshme politike, nuk kanë folur asnjëherë për të ngritur të paktën shqetësimin e zonave që përfaqësojnë dhe jo më për të pritur prej tyre ndonjë mendim për të zgjidhur situatat politike që janë krijuar herë pas here në sallën e Kuvendit. Asnjëri prej tyre nuk ka sjellë zërin e zonës që përfaqëson, të paktë një herë, të paktën për të mbajtur premtimin më të thjeshtë që kanë bërë gjatë fushatës elektorale, atë që do të jenë zëri i zgjedhësve në sallën e Kuvendit. Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë, nga të cilët 100 janë zgjedhur drejtpërsëdrejti dhe 40 prej tyre janë zgjedhur nga lista shumë-emërore. Disa gazetarë të tjerë pyetën banorë të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë dhe disa lagjeve në kryeqytet. 90% e të intervistuarve nuk i njihnin fare deputetët që kishin votuar në zgjedhjet e 3 korrikut të vitit 2005.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›