Urdhri, çarmatosen gardistët e Presidentit
Çarmatosen punonjësit e Gardës së Republikës, të cilët merren me veprimtarinë e Presidentit. Çarmatosja e tyre është bërë me urdhër të eprorit të tyre, ndërkohë që nuk u është dhënë asnjë shpjegim në lidhje me këtë veprim. Të shqetësuar për sigurinë e tyre, ata kanë kërkuar shpjegime mbi këtë veprim, pasi veç tyre, gjithë repartet e tjera nuk i dorëzojnë armët, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ndërkohë, burimet zyrtare të Gardës së Republikës, të pyetur nga gazeta, nuk kanë dhënë asnjë përgjigje mbi këtë problem. Vetëm pak ditë më parë ky problem shqetësues është bërë prezent nga një grup i punonjësve të Gardës së Republikës, me detyrë në njësinë e parë të këtij organi. Ata kanë treguar se prej kohësh, me urdhër të komandantit të kësaj njësie, Vladimir Ndreaj, është hequr armatimi personal i kuadrove nënoficer të njësisë së parë, që merret me sigurinë e veprimtarisë së Presidentit të Republikës. Grupi i kuadrove të Gardës së Republikës ka treguar se ky veprim kryhet në mënyrë të tillë që, sapo lihet shërbimi, çdo punonjës i kësaj njësie dorëzon armatimin personal. Sipas tyre, çdo fund turni kuadrot dorëzojnë armët, të cilat i marrin vetëm kur rikthehen në detyrë. Gjatë kohës së pushimit, atyre nuk u lejohet të mbajnë armatim personal. Ndërkohë, ky fakt është vërtetuar edhe nga punonjës të tjerë të Gardës së Republikës, të cilët deklarojnë se një veprim i tillë kryhet vetëm në njësinë e parë të Gardës së Republikës. Kjo ka sjellë shqetësimin e gardistëve, të cilët shprehin frikë nga detyra e veçantë që kanë. Sipas tyre, ata nuk kanë me çfarë të mbrohen në momentin që lënë shërbimin, pavarësisht se kjo bie në kundërshtim me ligjin. Ndërkaq, në lidhje me këtë shqetësim, "Shqip" është interesuar tek organet zyrtare, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Sipas të dhënave nga Garda e Republikës, njësia e parë mbulon dhe siguron veprimtarinë e Presidentit të Republikës. Burimet nga Garda e Republikës deklarojnë se kjo është njësia më e rëndësishme. Madje, punonjësit e Gardës, të cilët kanë kontaktuar me gazetën, kanë deklaruar se për këtë problem nuk është në dijeni as Ministria e Brendshme dhe as Presidenti. Sipas tyre, kjo është bërë me urdhër të veçantë nga eprorët e Gardës së Republikës. Nga rëndësia e shërbimeve që kryen kjo njësi, punonjësit e saj mund të jenë tepër të ekspozuar ndaj rrezikut, ndërkohë që ata çarmatosen çdo herë që mbarojnë shërbimin.
Ankesa
Oficerët e Gardës,
letër në redaksi
Një grup ushtarakësh dhe ish-ushtarakësh kanë kërkuar që të denoncojnë faktin e çarmatimit të tyre nëpërmjet gazetës "Shqip". Nëpërmjet një letre të dërguar në redaksi, ata rrëfejnë se ky veprim është kryer nga shefi tyre, Vladimir Ndreaj. Gjithashtu, ata kanë akuzuar se ky person po vepron në kundërshtim me ligjin, pa dijeninë e personave të tjerë, duke çarmatosur kuadrot. "Vladimir Ndreaj ka ardhur nga forcat Komando në Zall Herr, duke u emëruar në Gardën e Republikës si kuadër që e kishte konsumuar gradën e tij", deklarojnë punonjësit e Gardës në letrën e tyre.