E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama i kthen përgjigje Metës: Do të të shkruaj letër zyrtare

Edi Rama deklaroi dje se do t‘i përgjigjet zyrtarisht letrës së dërguar prej aleatit të tij Ilir Meta. Në një bashkëbisedim me median, kryetari i Partisë Socialiste konstatoi se bashkimi i ri është një nocion i gjerë, është një nocion i trajtuar dhe i hedhur në mjedisin publik nga selia rozë qysh në shtatorin e shkuar. "Është nocioni bazë i Dialogut me Shqipërinë, është filozofia e një politike, që nga duart e politikanëve duhet të shkojë në duart e qytetarëve", tha Rama. Duke shtuar se kjo politikë nuk duhet të mbrojë interesat e një grushti politikanësh, por interesat e gjitha grupimeve shoqërore, duke mbrojtur qytetaret e qytetarët e këtij vendi, pikërisht për një Shqipëri për të jetuar me punë të ndershme. "Është një nocion i kapërcimit të politikës së vjetër të pazareve të vogla dhe i daljes në hapësirën e madhe të dialogut me Shqipërinë e qytetarëve në qytet e fshat", vijoi ai. Çështje që kanë të bëjnë me punësimin, me arsimimin, prodhimin, luftën emancipuese kundër papunësisë, varfërisë, dhunës, injorancës, korrupsionit, "që ka të bëjë me gjithçka, ku politika është mision për të ndryshuar, mision për të transformuar, por është hapësirë për të bashkëjetuar dhe bashkëpunuar, si dhe që ka të bëjë me domosdoshmërinë për t‘u ndarë nga 17 vjet politikë interesash të politikanëve", theksoi Rama. Ndërsa insistoi në faktin se duhet t‘i hapet rrugë një politike, ku është qytetari, është familja shqiptare, janë komunitetet që përbëjnë fokusin dhe njëkohësisht qendrën e gravitetit. "Partia Socialiste është forca që do të fitojë zgjedhjet e 2009, sepse është forca që po ndërton çdo ditë rrugët e shpresës, rrugët e zhvillimit, mirëqenies dhe integrimit", premtoi Rama. Ai konfirmoi se socialistët po ndërtojnë çdo ditë një koalicion të madh, që është një koalicion mes partish, por është edhe një koalicion mes politikës dhe qytetarëve. Duke e kthyer politikën në një instrument në duart e çdo qytetari, që dëshiron përmes Partisë Socialiste të bëjë të dëgjohet zëri i vet dhe që në programin tonë të ri do të gjejë rrugën e vet. Reagimi i Ramës vjen pak ditë pasi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, hodhi hapat e parë drejt një pakti të ri. Ai ftoi Ramën që të reflektonte duke mbështetur nismën për kalim të ndryshimeve në Kushtetutë një referendumi popullor. Përmes një letre të hapur Meta avancoi ofertën publike duke e dokumentuar atë. Ndonëse teksti shoqërohej nga notat ironike gjatë gjithë përmbajtjes, Meta kërkonte të vinte në provë Ramën për një bashkim të ri. Tentativës së parë për afrim ju përgjigj zëdhënësja e Kryesisë së socialistëve, Mimi Kodheli. Ndërsa letrës pritet t‘i kthejë përgjigjen zyrtare, siç dje premtoi, kreu i socialistëve, Edi Rama. Paralelisht me këto gjysmë negociata të hapura, drejtuesit e LSI-së kanë filluar të punojnë për mbledhjen e firmave me qëllim kalimin në referendum.

Deklarata

Premtimi i opozitarëve në 1 maj

PS në pushtet, lokomotiva e punësimit

Partia Socialiste premton se do të hartojë strategji konkrete për punësimin. Këtë e bëri publike dje kreu i kësaj partie, Edi Rama. Sipas tij rruga për një Shqipëri të re, moderne, evropiane dhe sociale, kalon me doemos nga vendosja e së drejtës për të jetuar me punë të ndershme. Ai gjeti rastin dje, në ditën e punëtorëve, t‘u bëjë homazh të gjithë atyre që kanë humbur jetën në punë, duke ngritur po sot problemin e madh të mungesës së kontrollit në vendin e punës. Shembulli më elokuent i kësaj mungese kontrolli, shtoi ai, ishte ajo që ndodhi në "punishten e vdekjes" në Gërdec, ku doli zbuluar shteti që mungon, shteti që nuk ekziston. "Nga ana tjetër dua të vë theksin te fakti se ne, në të gjithë përpjekjen tonë për ndërtimin e programit të ri, për formësimin e alternativës së re, për hapjen e rrugës së re, jemi të fokusuar te puna, te lufta kundër papunësisë", garantoi Rama. Është e domosdoshme, insistoi ai, që të theksohet mungesa e plotë e një strategjie kundër papunësisë, e një strategjie që ne po e ndërtojmë duke filluar nga arsimi, nga domosdoshmëria e një sistemi arsimor, që të përgatisë njerëzit për punën e nesërme, nga domosdoshmëria e një sistemi arsimor kur pjesa që ka të bëjë me formimin profesional duhet të jetë një pjesë e qenësishme dhe jo një pjesë inekzistente si sot", tha Rama. Në një ditë si kjo, vijoi ai, dua të nënvizoj angazhimin solemn të Partisë Socialiste, për t‘u bërë lokomotiva e punësimit, lokomotiva e hapjes së perspektivës për punë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›