Koçi: Nano? LPI fton të gjithë të angazhohen
Lëvizja për Politikë Institucionale, nën drejtimin e Petro Koçit, kërkoi dje angazhimin e çdo faktori me kredite politike për të zmbrapsur paktin Rama-Berisha. Në një prononcim për median, eksponentë të kësaj lëvizjeje sqaruan se janë dhe do të mbeten brenda Partisë Socialiste. Ndërsa i mëshuan fort idesë së bashkëpunimit me Lëvizjen Socialiste për Integrim të ish-kryeministrit Ilir Meta. I pyetur se çfarë qëndrimi do të mbanin përballë Fatos Nanos, Koçi sqaroi se kjo lëvizje mbetet e hapur në këtë moment delikat që të pranojë kontributin e kujtdo. Duke lënë të kuptohet se kjo është një ftesë indirekte për ish-kreun e socialistëve. Para komunikimit me median, deputeti Koçi kishte firmosur në nismën e LSI-së për organizimin e referendumit popullor. Bashkë me të në tribunën e konferencës ishte edhe ish-sekretari organizativ i degës së Tiranës, ish-deputet Enver Reçi, ashtu sikurse Ylli Dylgjeri, zëdhënës i Lëvizjes për Politikë Institucionale. Përballë interesit të medias ata deklaruan se kanë një mbështetje të konsiderueshme në socialistët e shtrirë nga jugu në veri të vendit.