E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët pa etikë dhe procesverbale të tjetërsuara

28/09/2011  Qendra e Studimeve Parlamentare publikon raportin. Kritika të ashpra ligjvënësve

Mungesë transparence, falsifikim procesverbalesh, mungesë etike në komunikim, si dhe lënien e shoqërisë civile jashtë debateve, janë disa nga përfundimet e projektit të Qendrës së Studimeve Parlamentare, lidhur me aktivitetin e Kuvendit të Shqipërisë. Cilësia e vendimmarrjes si në aspektin e transparencës, ashtu dhe të praktikave demokratike kanë qenë edhe këtë herë në fokusin e vëzhgimit të QSP-së. Në funksion të këtij qëllimi, kjo qendër ka kryer monitorimin e punimeve të Kuvendit për katër muaj (nëntor 2010 - shkurt 2011) në dy komisione, atë të Ligjeve dhe të Ekonomisë, si dhe punimet në seancë plenare. Duke i marrë me radhë punimet në të dy komisionet, QSP përmend pjesëmarrjen e deputetëve në mbledhjet e tyre, ku në mënyrë të veçantë pikas mbledhjet e zhvilluara pa kuorumin e domosdoshëm. Neni 34 i Rregullores së Kuvendit përcakton se “Mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur në to merr pjesë më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të komisionit. Vendimet merren me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të komisionit”. “Komisioni i Ligjeve ka 27 anëtarë. Nga monitorimi i kryer në këtë komision janë vënë re mbledhje komisioni me 11 anëtarë, pa kuorum 2 të tilla. Po kaq mbledhje edhe komisioni i Ekonomisë. Në publikimin e procesverbaleve të mbledhjeve në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit, në më të shumtën e rasteve, ka ndryshime në numrin e pjesëmarrësve nga ajo çka ka rezultuar nga të dhënat e monitoruesve të QSP. Një element i vënë re është gjithashtu se në shqyrtim të procesverbaleve të mbledhjeve, të publikuara në faqen e internetit të Kuvendit, sërish ka dallime nga ajo çka është evidentuar nga monitoruesit e QSP edhe në lidhje me kohëzgjatjen e mbledhjeve, orari i fillimit dhe mbarimit të mbledhjeve”, thuhet në raport. Si për mbledhjet e komisioneve, ashtu edhe për seancat parlamentare, raporti në fjalë veçon se gjatë zhvillimit të tyre ka mungesë etike, debatet kalojnë në fyerje dhe konflikte personale mes deputetëve. “Vihet re një mungesë e madhe përqendrimi dhe vëmendjeje gjatë diskutimeve të kolegëve deputetë. Fyerjet, akuza, tone të larta, leximi i shtypit, përdorimi i telefonisë celulare janë të zakonshme në një seancë plenare në parlamentin shqiptar”, thuhet në raport. Sa i takon debate për projektligje, QSP konstaton se ato janë thellësisht politike, ku deputetët e mazhorancës në çdo rast e mbrojnë projektligjin dhe deputetët e opozitës e kundërshtojnë, pavarësisht të mirave apo të metave që ai shfaq. “Diskutimet, amendimet dhe votimi që u bëhet projektligjeve në komisione është gjithnjë politik dhe i qëndrimit që shpreh partia që ata përfaqësojnë, pa i hyrë trajtimit teknik që paraqet akti”, nënvizon raporti.

Detaje të projektit

Qendra e Studimeve Parlamentare ka kryer monitorimin e punimeve të Kuvendit gjatë sesionit të 3 dhe të 4 parlamentar, Legjislatura XVIII. Periudha e monitorimit: 9 nëntor 2010 – 28 shkurt 2011. U monitorua Komisioni i Ligjeve, i Ekonomisë dhe punimet në seancë plenare. Numri i mbledhjeve/seancave të monitoruara: 22 mbledhje te Komisionit të Ligjeve, nga 36 të kërkuara për të marrë pjesë; 19 mbledhje nga 32 të kërkuara në Komisionin e Ekonomisë dhe 9 seanca plenare nga 12 të kërkuara për të marrë pjesë. Refuzuar: 20 kërkesa për fletëhyrje. Nga këto 11 kërkesa për fletëhyrje në komisionin e Ligjeve, 8 në të Ekonomisë dhe një në seancë plenare.

Hapja e Kuvendit

Monitoruesit e QSP-së konstatojnë se për shkak të procedurave të brendshme të institucionit të Kuvendit, është vështirësuar pjesëmarrja e publikut/qytetarëve në veprimtarinë e Kuvendit dhe posaçërisht në mbledhjet e komisioneve Parlamentare. Për këtë qëllim QSP rekomandon lehtësimin e procedurave për pjesëmarrje të qytetarëve, përfaqësuesve të shoqërisë civile apo grupeve të interesit në veprimtarinë parlamentare. “Ky është hapi i parë drejt një qasjeje transparence dhe një parlamenti të hapur, ashtu siç e kërkojnë standardet demokratike”, -vlerësohet në raport, duke nënvizuar se e drejta për të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore është një e drejtë themelore e njeriut dhe buron nga vetë Kushtetuta e vendit.

Mungesa e konsulencës

Gjatë periudhës 4-mujore të monitorimit të kryer nga QSP janë zhvilluar 13 seanca dëgjimore me pjesëmarrës drejtues të institucioneve kushtetuese të pavarura, të gjitha me objekt diskutimin e projektligjit për buxhetin e shtetit 2011. Në asnjë rast tjetër gjatë periudhës së monitorimit nuk u zhvilluan seanca dëgjimore me publikun apo seanca dëgjimore të jenë kërkuar nga publiku lidhur me projektligje të tjera në shqyrtim. Kuvendi i Shqipërisë në veprimtarinë e tij në komisione nuk aplikon në aktivitetin e tij aktivizimin e specialistëve të jashtëm për t’u konsultuar për procesin ligjvënës. Nuk ka gjithashtu një listë ekspertësh atashuar pranë Kuvendit për këtë qëllim.

Vërejtjet e studimit

Nuk ka bashkëpunim të komisioneve parlamentare me ekspertë/grupe interesi/publik në hartimin e një projektligji. Relatorët e projektligjeve nuk i referohen asnjë ashkëpunimi të tillë gjatë fjalës së tyre.

Gjatë punimeve në seancë plenare nuk janë paraqitur amendamente nga deputetët. Shumica parlamentare e miratimit të projektligjeve në seancë është në të gjitha rastet 73 vota.

Vonesa në fillimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare të monitoruara, nga orari i parashikuar në kalendar. Vonesat në fillimin e mbledhjeve variojnë nga 5-40 minuta.

Materialet e mbledhjes (projektligje, etj.), që do të shqyrtohen në mbledhje komisioni, janë të disponueshme vetëm për anëtarët e komisionit (deputetët).

Janë vënë re mbledhje kur deputetët anëtarë qëndrojnë shumë pak në mbledhje, vijnë me vonesë dhe/ose largohen prej saj edhe para mbarimit. Në disa raste është vënë re që deputetët anëtarë në komision vijnë vetëm në momentin që kryhet votimi, kjo për efekt kuorumi në votim.

Nga monitorimi rezulton se momenti i votimit i zhvilluar në mbyllje të mbledhjes është i paqartë dhe i kryer në zhurmë. Për monitoruesit e QSP nuk rezulton të jetë kryer votim, por nga interesimi i bërë pranë sekretares së komisionit rezulton se është kryer votim dhe po kështu edhe në procesverbalet e publikuara në internet.

Monitoruesve u sigurohej një vend i papërshtatshëm për ndjekjen e seancës, ku pamja e sallës është e kufizuar dhe dëgjimi është i keq. Është i njëjti ambient ku qëndron media dhe kamerat. Lozhat e sallës plenare qëndrojnë bosh dhe nuk lejohet hyrja në to.

Vihet re një mungesë e madhe përqendrimi dhe vëmendjeje gjatë diskutimeve të kolegëve deputetë. Fyerjet, akuza, tone të larta, leximi i shtypit, përdorimi i telefonisë celulare janë të zakonshme në një seancë plenare në parlamentin shqiptar.

Kuvendi i Shqipërisë nuk publikon rregullisht të gjitha projektligjet e shqyrtuara në komisionet parlamentare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›