E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Kërkesat të negociueshme, palët të bëjnë propozime

28/09/2011  Pakti kombëtar, socialistët ftojnë në bisedime mazhorancën parlamentare

Partia Socialiste shprehet e gatshme të ulet në bisedime me shumicën parlamentare, lidhur me 10 pikat e paktit kombëtar. Një fakt i tillë u bë dje i ditur nga sekretari për Çështjet Zgjedhore pranë kësaj partie, Fatmir Xhafaj, i cili i mëshoi me forcë faktit se paketa e propozimeve të PS-së është e negociueshme. “Nuk është çështje pikash dhe numrash. Mundet mazhoranca të ketë një qasje tjetër për disa nga këto elemente, ose mund të ketë propozime të reja. Kryetari i PS-së, drejtuesi i grupit parlamentar socialist, vetë grupi ka shprehur qartazi që ky është një projekt tërësisht i negociueshëm dhe është i hapur që secila nga palët të ketë mundësinë të bëjë sugjerimet e veta përmirësuese”, vuri në dukje Xhafaj gjatë prononcimit të tij. Madje, po në këtë linjë, deputeti socialist sqaroi se “ne jemi të gatshëm që për ato pika që ajo nuk bie dakord, ne të futemi në diskutime për të gjetur një zgjidhje më të mirë, pasi kemi depozituar në Kuvend draftin dhe do ta diskutojmë atë në seancën plenare të së enjtes, mazhoranca duhet ta marrë shumë seriozisht”. Sipas tij, PS nuk kërkon që të bëjë një pakt me kryeministrin Berisha, as me qeverinë, por një pakt me Kushtetutën, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit me qytetarët e këtij vendi. Në gjykimin e socialistëve miratimi i këtij pakti jo vetëm që do t’u jepte një shtysë më tepër proceseve integruese, por do të zgjidhte dhe krizën politike. “Ky draft është në interes të vendit, mazhoranca duhet ta marrë shumë seriozisht konsensusin që ofron opozita përmes këtij drafti, i cili zgjidh krizën, por mbi të gjitha është në interes të shqiptarëve, pasi kjo vjen për integrimin e vendit në BE”, deklaroi ai. Ndërkohë, sekretari socialist sqaroi dhe lidhur me kandidaturën e presidentit të ri, ku sipas tij, kjo pikë nuk ka qenë pjesë e paketës apo e kërkesave të opozitës sikundër pretendon mazhoranca. “Ka një keqkuptim në atë propozim të bërë nga ana e opozitës. Nuk ka në mënyrë eksplicite në atë projekt, një propozim të adresuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të republikës. Kjo është e vërteta. Nëse mazhorancës i djeg pikërisht kjo gjë dhe jep përgjigje për një gjë që s’ia kërkojnë, kjo është një çështje tjetër, jo një çështje që u përket propozuesve”, vlerësoi Xhafaj, sa i takon një çështje të tillë.

Konsensusi

Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e tij për dialog me opozitën vetëm për dy pika nga 10 të tilla që kjo e fundit prezantoi pak ditë më parë. “Dua të theksoj se po bëhet progres dhe jam i bindur se do të ketë progres në bashkëpunimin në reformën zgjedhore, ku mazhoranca ka qenë gjithnjë e hapur dhe mbetet e hapur të punojë me opozitën dhe të gjithë faktorët e rëndësishëm të kësaj shoqërie, për të adresuar një nga një të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it të dy zgjedhjeve të fundit. Për sa i përket rregullave të parlamentit, duhet të garantoj çdo shqiptar se, ndonëse Rregullorja e këtij parlamenti është në standardet më të larta demokratike, ne jemi të hapur për ta konfrontuar atë nen për nen me Rregulloren e Parlamentit Evropian dhe standardet më të larta të Evropës dhe të botës që ekzistojnë. Uroj dhe shpresoj që nga këto standarde të udhëhiqen dhe frymëzohen dhe opozita në parlamentin e vendit”, tha ai.

Integrimi në BE

PS pakt kombëtar

Partia Socialiste i propozoi mazhorancës parlamentare një pakt prej 10 pikash. Propozimet kanë të bëjnë me votimin konsensual të reformës parlamentare; ngritjen e komisionit ad hoc për të miratuar brenda muajit dhjetor reformën parlamentare me asistencë teknike të OSBE-së; marrëveshje dypalëshe për përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda marsit të vitit 2012, bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it; konsensus për zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe zgjedhjen e kandidatit të përzgjedhur nga Presidenti i Republikës për detyrën e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë; zgjedhjen me konsensus të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi propozimin e Presidentit; zgjedhjen me konsensus të Avokatit të Popullit; ngarkimin e Komisionit të Ligjeve për trajtimin në një proces të hapur e transparent të çdo çështjeje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave të Kuvendit; dakordësi për kufizimin e imunitetit parlamentar me konsultime të gjera dhe asistencë ndërkombëtare, si dhe ngritjen e një tryeze për rishikimin e Kushtetutës me përfshirjen e Komisionit të Venecias; kërkesë ndaj Prokurores së Përgjithshme për zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit, si dhe të hetimit të të gjithë personave me imunitet parlamentar ose me detyra të tjera shtetërore që kanë rezultuar të përzier me botën e krimit, të dala në dritë këto përmes kabllogrameve të publikuara nga Wikileaks. Pika e fundit e paktit ka të bëjë me balancimin e Bordit të Televizionit Publik Shqiptar dhe zgjedhjen me konsensus të drejtuesit të ri të tij, që të garantojë paanshmërinë në informimin e publikut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›