Situata në veri, MPJ: Mbështesim qeverinë e Kosovës

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar sot në lidhje me situatën e krijuar në veri të Kosovës. Në një deklaratë për shtyp MPJ-ja thekson se po ndjek me shqetësim të veçantë dhunën e përsëritur të strukturave paralele dhe bandave kriminale serbe në veri të Kosovës, dhe së fundmi, kundër trupave të KFOR-it në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës.
“MPJ mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj dhe vendosjen e rendit e ligjit në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in.Mbështesim gjithashtu, Qeverinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in, për zbatimin e Marrëveshjes së 5 gushtit dhe 2 shtatorit, për largimin e barrikadave, që cënojnë dhe pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve” thuhet në deklaratën e MPJ-së
Ministria e Jashtme gjithashtu vlerëson se dhuna kundër trupave të KFOR-it, plagosja e tre shqiptarëve në Mitrovicë, deklaratat destruktive, si dhe bllokimi i bisedimeve teknike Kosovë-Serbi në Bruksel nuk janë rruga e duhur për të ecur drejt stabilitetit dhe integrimit europian.
“Zbërthimi i strukturave paralele e bandave kriminale, prodhues të destabilitetit dhe pasigurinë në këtë pjesë të Ballkanit është tashmë një detyrë dhe përgjegjësi e qartë e Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së” thekson MPJ-ja.