Maks Velo: Jam i lumtur që rigjeta dashurinë time të fëmijërisë, birrën “Korça”
Ka disa momente të cilat mbeten të pashlyera për të gjithë jetën. Në kujtesën tonë me kalimin e viteve bëhet selektimi i informacionit duke ruajtur si thesar ato që janë me të vërtetë të rëndësishme dhe që kanë arritur të prekin ndjenjat tona. Pikërisht një moment të tillë na rrëfen artisti i njohur Maks Velo i cili ndan me lexuesin kohët e largëta të fëmijërisë së tij në qytetin e bukur të Korçës. Në fakt as që mund ta imagjinonim që artisti i njohur paska patur një lidhje kaq shpirtërore me një objekt që ai e quan krenaria e Korçës, fabrikën ku në vogli të tij prodhohej birra Korça dhe siç e thotë vetë artisti “po të mos ishte ajo fabrikë dhe dy tre objekte të tjera të rëndësishme, ai qytet nuk do të kishte atë vlerë”. Rigjen dashurinë e tij mbas shumë vitesh por kësaj radhe ndryshe. Në ndryshim nga njerëzit ku vitet lënë gjurmë duke u konvertuar në plakje, Velo rigjen pijen e tij të dashur, më të re dhe më të freskët se kurrë. E takuam artistin e njohur pak ditë më parë teksa pinte birra “Korça” në ditët e “Festës së Birrës” në kodrat e liqenit. Si gjithmonë me pamjen e tij prej njeriu të dashur dhe shumë babaxhan edhe pse jeta nuk i ka ofruar shumë çaste të lumtura, ai ka ditur të marrë kënaqësi dhe të mbushet me artin e tij, me miqtë që nuk e lënë asnjëherë vetëm, por edhe me pijen e tij të zemrës, birrën “Korça”. Velo si një mjeshtër i skulpturave, di po kaq mirë të gdhendë një fjali monumentale kur e pyet për gjërat që ai ka për zemër. Prandaj teksa flet për birrën “Korça”, të mahnit përshkrimi i tij tejet artistik ndërkohë që ti mund të presësh thjesht një impresion prej pijetari të thekur. Këto janë artistët, njerëz të paparashikueshëm dhe shumë të ndjeshëm ndaj të veçantës dhe mbi të gjitha ata mbeten arkiva të gjalla të momenteve kur janë ndjerë me të vërtetë të lumtur.
Zoti Velo, ju kemi parë ditët e “Festës së Birrës” duke pirë birra “Korça”. Një zgjedhje e rastësishme apo një preferencë e konsoliduar tashmë?
Unë jam nga Korça, kështu që birra “Korça” mbetet një nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë sime. Fabrika ku prodhohej kjo birrë u kthye në një simbol për këtë qytet. Pasi ajo nuk ishte thjesht një vend ku prodhohej birrë dhe kaq, por ishte fabrika e kënaqësisë njerëzore për të gjithë korçarët. Bëhet fjalë për vitet ‘30, kohë kur bëheshin festa të ndryshme dhe gjithmonë simboli i festës ishte birra “Korça”.
Na tregoni një moment të fëmijërisë suaj, që lidhet pikërisht me këtë fabrikë?
Kam qenë jo më shumë se gjashtë vjeç kur ika pa leje nga shtëpia dhe u arratisa tek kroi i Sherkos, tamam aty ku ishte ndërtuar fabrika e birrës “Korça”. Ishte një ndër gëzimet e mia të fëmijërisë ai vend.
Po për qytetarët e tjerë të Korçës çfarë përfaqësonte ky produkt, me emrin e qytetit të tyre?
Birra “Korça” ka fatin e madh të jetë një produkt që ka historinë e tij,ajo ka një autoritet që krijohet nga biografia. Ishte fabrika e parë e pijeve në Shqipëri dhe ky ishte një fat i madh për ne që jetuam atë periudhë. Më vjen mirë që jo vetëm atëherë por edhe sot birra “Korça” ka arritur të ruajë një seriozitet në raport me blerësit, duke u bërë kështu simbol i ndershmërisë dhe korrektësisë.
Pse u ndërtua pikërisht në Korçë ajo fabrikë?
Ishte koha Zogut, po bëhej industrializimi i vendit dhe u zgjodh Korça mbasi aty ka një favor të madh për shkak se mund të gjesh ujë teknollogjik që vjen nga Mborja. Ky është një fat i madh për një fabrikë pijesh. Por dua të theksoj se ajo nuk ishte thjesht një fabrikë, por simbol i kulturës së atij qyteti bashkë me kinema Mazhesik, Luksin dhe Pazarin e Vjetër. Jo vetëm shqiptarët por edhe të huajt kur vinin në atë qytet, kënaqeshin duke pirë birra “Korça”. Fabrika ishte më e mira në Ballkan dhe kjo shpjegon edhe dhënien e dy çmimeve në Selanik në ato vite.
Po mbas Çlirimit çfarë ndodhi me fabrikën e birra “Korça”?
Pati një vazhdimësi prodhimi duke mbetur si gjithmonë birra më e mirë në Shqipëri megjithëse prodhohej me pakicë dhe në lokale mbarohej menjëherë.
Si e përjetuat rikthimin e “mikes” suaj të fëmijërisë pak vite më parë?
Kur mora vesh që birra “Korça” do rifillonte, por kësaj radhe me një teknollogji shumë moderne, gjithsesi isha në merak për kualitetin e saj. Por sinqerisht sot jam i lumtur teksa pi përsëri birrën time të preferuar por me një cilësi shumë më të lartë. Kur u hap fabrika tashmë e rikonstruktuar, unë isha i ftuar nga pronari i saj. Mbeta i impresionuar. Ambienti i tejkalonte të gjitha kërkesat e një fabrike. Çdo detaj ishte i menduar jo vetëm profesionalisht, por edhe artistikisht. M’u kujtua menjëherë një manastir në veri të Francës ku prodhohet një liker 500-vjeçar. Atje njerëzit shkonin jo vetëm për të shijuar likerin, por edhe për vlerat monumentale që mbarte vendi ku prodhohej ky liker. E vlerësoj ekzigjencën dhe këmbënguljen e pronarit për atë mrekulli që ka bërë, pasi realisht jo gjithkush mund ta bënte.
Ju pini vetëm birra “Korça”?
Realisht po, sepse është e shijshme, e lehtë, shumë cilësore dhe ruan shëndetin që është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Dua të theksoj se Korça i ka dhënë emrin birrës, ndërsa birra i ka dhënë shumë prestigj Korçës por edhe Shqipërisë.
Birra “Korça” ka marrë një çmim shumë të rëndësishëm në Londër një vit më parë, e quajtur “Kurora e Artë e Cilësisë”. Si mendoni ju pse e kanë vlerësuar ata këtë pije shqiptare?
Vetëm për cilësinë pa diskutim. Disa herë iu kam ofruar miqve të mi çekë dhe francezë birra “Korça” dhe ata kanë mbetur të impresionuar nga shija e saj. Do të kisha dëshirë që edhe produktet e tjera të qytetit tim të dashur, Korçës të ishin në nivelin e kësaj birre. Ne jemi një vend i vogël dhe kemi nevojë për simbole të degustimit. Kemi nevojë për produkte prestigjioze si birra ime e preferuar që mban emrin e qytetit tim të dashur, Korçës. E. Sh