E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-LSI, hetim trafikut të armëve

PS dhe LSI bashkëpunojnë mes tyre për herë të parë që pas tragjedisë së Gërdecit. 

aristir lumezi

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste i është përgjigjur pozitivisht nismës së LSI-së për të ngritur një komision hetimor për tregtinë e armëve, e cila ka lidhje direkte me tragjedinë e Gërdecit. Mësohet se ishte kryetari i Asamblesë Kombëtare socialiste, Gramoz Ruçi, i cili ka marrë përsipër të plotësojë numrin 28 të firmave të deputetëve të nevojshme për të bërë të mundur ngritjen e komisionit hetimor. Vetë LSI kishte grumbulluar rreth 15 firma deputetësh, të cilat ishin të pamjaftueshme për të konkretizuar zyrtarisht një kërkesë të tillë. Ka qenë vetë Ruçi që e ka marrë përsipër grumbullimin e të gjitha firmave të tjera të nevojshme, duke firmosur i pari në kërkesën e LSI-së. Burime nga grupi parlamentar socialist pohuan dje se kanë firmosur kërkesën e LSI-së, përmes të cilës përmbushet dhe një kërkesë e tyre për të hetuar deri në fund tragjedinë e Gërdecit. Duket se bashkimi i firmave për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për Gërdecin, mund të jetë mënyra që do t’i afronte dy partitë drejt një bashkëpunimi të ri, me synimin zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Këtë synim e përforcon dhe dalja e Gramoz Ruçit si garant për të ndërtuar një urë të tillë bashkimi firmash. Nënkryetari i LSI-së, Xhufi, kërkoi në seancën e të enjtes së shkuar që edhe Kuvendi i Shqipërisë të marrë të njëjtën iniciativë si dhe Kongresi amerikan. “Problemi që unë do të doja të ngrija me forcë, duke bërë dhe një krahasim midis Kuvendit tonë dhe Kongresit amerikan, është që, ndërsa Kongresi amerikan po heton me shumë angazhim dhe me seriozitet një aferë, që në origjinë ishte e rregullt dhe ligjore, ajo e shitjes së fishekëve e një dimensioni të caktuar, Kuvendi i Shqipërisë, për fat të keq, ka refuzuar kërkesën e një grupi parlamentarësh, e një grupi deputetësh, të cilët kanë kërkuar ngritjen e një grupi hetimor për skandalin dhe për mynxyrën e Gërdecit”, tha Xhufi. Në objektin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor kërkohet hetim i veprimtarisë dhe përgjegjësive të Ministrisë së Mbrojtjes e Këshillit të Ministrave në lidhje me hartimin e kuadrit ligjor dhe respektimin e tij për çmontimin dhe shitjen e armëve dhe municioneve, posaçërisht në rastin e kontratave të lidhura me kompaninë AEY për llogari të qeverisë amerikane dhe me kompaninë “Albademil”.

Minatorët vizitohen nga këshilltarët e Topit e PS

Në ditën e 14 të grevës së urisë, minatorët janë vizituar dje nga këshilltarët e Presidentit Topi dhe deputetët e PS-së. Dy këshilltarët e kreut të shtetit, Maksim Cikuli për arsimin dhe Fatlum Norja për pushtetin lokal, kanë takuar minatorët me synimin për t’u njohur më nga afër me kërkesat e tyre dhe gjendjen shëndetësore dhe më pas do të informojnë Topin rreth situatës. Gjithashtu gjatë ditës së djeshme minatorët janë vizituar edhe nga Qemal Minxhozi, Andis Harasani, Alfred Dalipi dhe Shpëtim Idrizi. Pasi dëgjuan kërkesat e tyre, të katërt deputetët premtuan se do të kërkojnë në sallën e Kuvendit që kjo çështje të marrë sa më shpejtë zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›