Deputetët socialistë: Berisha të pranojë vrasjet e 21 janarit dhe të arrestohet
Kryeministri Sali Berisha për herë të parë ka pranuar se vrasjet më 21 janar mund të jenë kryer nga ana e Gardës së Republikës, pasi sipas tij, plumbat mund të kenë bërë rikoshet. Deri më dje, Berisha nuk e kishte pranuar këtë fakt, duke thënë se protestuesit janë vrarë me njër-tjeterin.
Pas deklaratës së Berishës, deputeti socialist, Erion Braçe, ka thënë se Berisha ai duhet të pranojë krimin dhe të dorëzohet.
Sali Berisha ka pranuar dje për herë të parë: protestuesit e 21 janarit mund të jenë vrarë nga plumbat rikoshetë të oficerëve të Gardës së Republikës!!
Plumba rikoshetë?? Kryeministër, ti the që ne vramë njëri-tjetrin me çadra pistoletë!! Tani po thua që protestuesit i vranë plumba rikoshetë!! JO, JO! Protestuesit janë vrarë me paramendim! Protestuesit janë vrarë nga afër! Protestuesit janë vrarë nga drejtues të Gardës dhe njerëz pranë teje! Protestuesit janë vrarë pas urdhërit për të hapur zjarr me plumba vrasës! Bëhu burrë, pranojë krimin, merr përgjegjësi dhe dorëzohu. Tani1, thotë deputeti socialist, Braçe.
Deputeti tjetër, Taulant Balla, shprehet se Berisha duhet të arrestohet, duke qenë se ka pranuar publikisht që nuk ka lejuar arrestimin e punonjësve të akuzuar të gardës.
Kryeministri Sali Berisha, në emisionin Debat të Alfred Pezës, që pritet të transmetohet ditën e premte, ka marrë autorësinë e një vepre tjetër penale. I pyetur nga gazetari mbi urdhër-arrestin e Prokurorisë për gjashtë gardistët e akuzuar për katër vrasjet e 21 Janarit, Sali Berisha ka pranuar faktin se ai ka urdhëruar policinë të mos ekzekutojë këtë urdhër.
Në këtë rast jo vetëm që ka tejkaluar kompetencat e tij si Kryeministër, por ka shkelur ligjin, duke kryer një vepër penale. Në çdo vend me institucione funksionale, shtetasi Sali Ram Berisha duhet të ndiqet penalisht për këtë urdhër, që ka bllokuar zbatimin e urdhër-arrestit të Prokurorisë. Kodi Penal e ka të specifikuar qartë dënimin për këtë vepër penale, thuhet në deklaratën e Taulant Ballës.