E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët të ngrenë zërin në mbrojtje të atyre që luftuan për liri

Nga Express më 27 korrik 2011 në ora 19:30

Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së të mërkurën kanë kërkuar nga deputetët e Kosovës që të ngrenë zërin në mbrojtje të atyre që luftuan për lirinë e popullit dhe paraqitën vërejtjet e tyre rreth projektligjit aktual për vlerat e luftës, i cili do të shqyrtohet në Kuvend.

Në kërkesat dërguar secilit, shoqatat e luftës kërkojnë që në projektligj të futen të drejtat dhe beneficionet e veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së.

Sipas tyre neni 12, paragrafi 2, ku thuhet se të drejtat në beneficionet e veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së, si dh kriteret e kualifikimit për njohjen dhe realizimin e tyre do të rregullohen me ligj të veçantë, duhet të bëhet neni ku thuhet se pjesa që ka të bëjë me beneficionet e veteranëve dhe pjesëtarëve të fillojë së zbatuari para verifikimit dhe kategorizimit të tyre, dhe për këtë të caktohet një afat kohor jo më shumë se gjashtë muaj nga miratimi i ligjit, ndërsa verifikimi të bëhet edhe për invalidët dhe dëshmorët.

Shoqatat e dala nga lufta kërkojnë ndryshimin e nenit 3, paragrafi 1.6 të Projektligjit për vlerat e luftës ku thuhet se dëshmor i kombit është pjesëtari i UÇK-së që ka rënë në luftë për lirinë e vendit 1998-99 dhe në vend të kësaj propozojnë që për dëshmorët e UÇK-së periudha kohore të jetë prej 30 dhjetorit 1991 deri më 19 shtator 1999, ndërsa në rastet kur ndonjë veteran ka vdekur si pasojë e plagëve të marra gjatë luftës të vlejë periudha tri vjet pas luftës.

Ndërkaq, kërkojnë heqjen e paragrafi 1.15 në nenin 3, ku thuhet se person i zhdukur nënkupton personin vendndodhja e të cilit është e panjohur për familjarët e tij dhe i cili në bazë të informacionit të besueshëm është zhdukur brenda periudhës 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000, si pasojë e luftës në Kosovë 1998-1999.

Në arsyetimin për heqjen e këtij paragrafi thuhet se pasi që tashmë është miratuar ligji për personat e pagjetur ky paragraf duhet të hiqet komplet, pasi që si i tillë përmban kundërthënie.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›