Breivik me dosje për shqiptarët në Maqedoni
Autori i masakrës në Norvegji, Andres Bering Breivik, ka ndjekur edhe zhvillimet në Maqedoni dhe konfliktin e vitit 2001, ku në manifestin e tij ka mbledhur të dhëna për shqiptarët.
Ai në një dokument të përpiluar të ashtuquajtur si manifest “2083 – Deklarata Evropiane për Pavarësi”, disa herë ka përmendur Maqedoninë.
Breivik ka shkruar se numri i shqiptarëve në Maqedoni arrin 25 për qind, me ç`rast ka shtuar edhe se në këtë vend është e pranishme multi-kultura ku sipas të dhënave janë edhe 40 për qind komunitet mysliman.
Sipas tij, në rast se këto trende do të shënonin rritje, atëherë Maqedonia në të ardhmen do të përballej me probleme serioze.
Autori i masakrës në Utoya ka shkruar edhe për Ali Ahmetin, ku ai nënvizohet si themelues i UÇK-së dhe se tek shqiptarët ka një hierarki familjare.
Ai përshkruan se Ahmeti është nipi i Fazli Veliut, njërit nga themeluesve të UÇK-së në Kosovë. Gjithashtu theksohet se familja e Veliu është e lidhur siç thuhet me “klanin Jashari”, anëtarë i së cilit është edhe Hashim Thaçi”.
Në këtë manifest të vrasësit përmendet edhe Ligji për përdorimin e simboleve kombëtare të bashkësive etnike, ku bëhet e ditur se shqiptarëve mund të përdorin flamurin e tyre në vendet ku janë shumicë.