ROSU është tërhequr nga veriu
Ministri i Punëve të Brendshëm, Bajram Rexhepi ka konfirmuar se është arritur marrëveshja me KFOR-in për tërheqjen e njësive speciale nga pika 1 dhe 31 në veri. Ai ka thënë për KTV-në se njësia speciale tashmë ka kryer misionin e saj.
“Njësia speciale ka kryer misionin e vet, misioni i tyre ka qenë kthimi i ligjshmërisë në pikën 1 dhe 31”, ka thënë Rexhepi i cili ka shtuar se tashmë në pikat kufitare në veri do të vendosen policia e përbërë nga serbë dhe shqiptarë po ashtu edhe nga doganierët serb dhe shqiptar.
Edhe zyrtarë policor shprehen se Njësitet speciale të Policisë së Kosovës ,“ROSU” kanë përmbushur detyrat e tyre dhe janë tërhequr nga veriu i Kosovës, bëjnë të ditur Zyrtarët e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj policie, Brahim Sadriu, i ka thënë Radios Evropa e lirë, se në vendkalimet kufitare tashmë janë njësitet kufitare të policisë së Kosovës dhe doganierët.
“Mund të them se njësitet speciale e kanë kryer detyrën e tyre, për të cilën ishin ngarkuar. Kanë shkuar në vendkalimet kufitare, e kanë vënë situatën nën kontroll dhe ua kanë mundësuar që ta kryejnë detyrën e tyre njësive kufitare dhe doganave të Kosovës”, ka thënë Sadriu.
Ai gjithashtu ka theksuar se gjatë natës, por edhe tash, situata e sigurisë në veri është e qetë.