Deputeti Babasi përjashtohet 1 javë nga Kuvendi
Deputeti i PD-së, Ndriçim Babasi, është përjashtuar 1 javë nga punimet e Kuvendit për shkak të fyerjes së deputetes Arta Dade. Të nëntë anëtarët e Byrosë së Kuvendit kanë votuar dje unanimisht për pezullimin e tij. Babasi kërkoi falje publike për fyerjen e tij, por Byroja e Kuvendit mori këtë masë ndaj tij për shkak të këmbënguljes së opozitës. Gjatë seancës plenare të pasdites të ditës së hënë, Babasi në fjalën e tij nga podiumi i Kuvendit lëshoi fjalë fyese ndaj deputetes së PS-së, Arta Dade, ndërkohë që më pas kërkoi ndjesë publike. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka vendosur që Babasi të vazhdojë të ndjekë seancën pas ndjesës publike që ka bërë, por opozita ka protestuar duke lënë seancën. Deputetët e opozitës kërkuan përjashtimin e Babasit dhe u larguan nga salla, pasi kërkonin masën ndaj tij. Ata u larguan ndonëse në Kuvend po debatohej për ngjarjen e rëndë të Gjirokastrës, ku humbën jetën 3 banorë pas shembjes së një pallati.
Alibeaj: Gjykatë Administrative për të mbrojtur biznesin
Komisioni i Ligjeve nisi dje shqyrtimin e projektligjit “Për Gjykatën Administrative”, ku i pranishëm ishte ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Ai vlerësoi këtë projektligj, duke deklaruar se do të përmirësojë praktikën ligjore ndaj biznesit dhe individëve. “Linja inspiruese e formulimit të projektligjit është krijimi i një sistemi gjyqësor të gjykimit administrativ, i cili të jetë efikas dhe jashtë praktikave korruptive, të mbrojë individët dhe biznesin, duke vendosur limite ligjore të arsyeshme ndaj praktikave abuzive të administratës shtetërore”, - tha ministri Alibeaj, i cili shtoi se dy janë komponentët kryesorë të draftit, procesi gjyqësor dhe organizimi i gjykimit administrativ. “Drafti përcakton përfundimisht që zvarritjet e gjykimeve të mos ndodhin më. Ligji parashikon që tashmë ato të përfundojnë në një kohë shumë të shkurtër, me afate dymujore në gjykatat e shkallës së parë dhe njëmujore në Gjykatën e Apelit. Për sa i takon gjyqësorit, është rritur e drejta e aksesit në gjykim, duke krijuar lehtësi maksimale që çdo individ ose biznes që pretendon se është cenuar nga praktikat e administratës, do të ketë lehtësinë për t'iu drejtuar gjykatave, pa pasur barriera administrative e burokratike”, - tha Alibeaj. Më tej, ai shtoi se shteti përmirëson praktikën me këtë ligj, veçanërisht ndaj biznesit. “Me këtë ligj është futur në mënyrë të qartë e të ndërgjegjshme që barra e provës t'i kalojë shtetit. Shteti prezumohet që nxjerr akte administrative të ligjshme, të arsyeshme e racionale dhe ai do të jetë i detyruar që këta komponentë të aktit administrativ t'i mbrojë edhe gjatë procesit gjyqësor, duke u krijuar lehtësi maksimale individëve gjatë procesit gjyqësor”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.