Demontimi i 875 tankeve në kohën e Majkos, maxhoranca rikthen çështjen
Komisioni i Sigurisë, i cili debatoi dje për projektbuxhetin 2009, riktheu në vëmendje demontimin e municioneve. Pas fjalës së ministrit të Mbrojtjes Oketa, i cili premtoi se do të ketë një demontimin të sigurt për 90 mijë tonë municione të tepërta, mjaft deputetë ngritën shqetësimin e këtij procesi që është bërë në vite. Deputeti i PD-së, Baki Shehu, tha se në vite ky proces nuk është bërë transparent. “Duhet të di se ç’ka ndodhur me 875 tanket që janë demontuar në kohën që drejtonte Majko. Sa fitoi shteti nga ky proces, pasi sipas informacionit tonë, tanket janë shitur tepër ulët, duke pasur parasysh se një tank peshon tonelata të tëra dhe është i përbërë nga çelik special që është shumë i kërkuar”, - tha Shehu, i cili u mbështet edhe nga deputeti tjetër i djathtë Fatos Hoxha, i cili tha për gazetën se “këtë çështje do ta ngremë në Kuvend për demontimin e 875 tankeve”. Ndonëse kjo çështje u hap në Komisionin e Sigurisë, ajo nuk u vazhdua më tej, për shkak se në mbledhje ishte vetëm një deputet i opozitës, ndërsa ministri Oketa nuk e komentoi deklaratën e ish-gjeneralit Baki Shehu. Çështja e demontimit të tankeve kineze dhe ruse të amortizuar, është ngritur shpesh nga maxhoranca, e cila e ka parë këtë çështje si një aferë me armët. Nga ana tjetër, Shqipëria i njeh Kinës një borxh të prapambetur prej gati 20 milionë dollarësh, që shteti komunist i ka marrë Kinës për blerjen e tankeve. Kina ka kërkuar kthimin e borxhit të konsiderueshëm, ndërkohë që shteti shqiptar, nga shitja dhe demontimi i tankeve, ka fituar një shumë minimale. Sipas të dhënave, nga demontimi i tankeve është përfituar një shumë prej gati 300 mijë lekësh të reja dhe nga të gjitha tanket mund të jenë përfituar jo më shumë 2.5 milionë dollarë. Biznesmeni që është marrë me blerjen dhe shitjen e tankeve, është i njohur tashmë, pasi është duke vuajtur paraburgimin dhe është Mihal Delijorgji. Kompania e tij, “Përparimi sh.a.”, ka përfituar një kontratë nga Ministria e Mbrojtjes për blerjen e tankeve të cilët peshonin nga 32 deri në 36 tonë secili. Ndërkohë, ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, është prononcuar për këtë çështje dhe ka deklaruar se ai ka bërë një kallëzim penal për kompaninë e Delijorgjit. "Kam dërguar këtë dosje në prokurori për ndjekje penale 3-4 herë, pasi është nënshkruar kontrata dhe pas vendimit të Këshillit të Ministrave i ligjëruar më datë 10 prill të vitit 2003", - ka deklaruar ish-ministri i Mbrojtjes, Majko.