Topalli: Mbështetje Maqedonisë për në NATO
Vizitën e parë jashtë Maqedonisë, pas zgjedhjes si kryetar i Parlamentit, zoti Trajko Veljanovski vendosi ta bëjë në Shqipëri, në përgjigje të ftesës së kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefina Topalli. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi përparimin e bërë nga Maqedonia në procesin e integrimit në BE, duke shtuar se “Shqipëria ka bërë reforma të mëdha ligjore dhe ekonomike, ka një rritje ekonomike mbi 6 për qind dhe stabilitet e siguri që ka rritur interesin të investitorëve të huaj. Falë këtyre reformave të vlerësuar ndërkombëtarisht, vendi ynë jo vetëm po zhvillohet, por është shumë pranë BE-së dhe NATO-s”. Duke vlerësuar si shumë rezultative reformat e bëra nga Shqipëria, që ndikojnë edhe në zhvillimin rajonal, zoti Veljanovski shtoi: “Është në kënaqësinë tonë që, si vend i cili ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, të bashkëpunojmë me Shqipërinë për të dhënë të gjithë përvojën tonë. Bashkëpunimi në kuadër të A3-shit rezultoi i suksesshëm, pavarësisht se Maqedonia për shkaqe të tjera nuk arriti dot të merrte ftesën për anëtarësim në NATO si Shqipëria dhe Kroacia. “Edhe ne ashtu si ju, - tha kryetarja e Kuvendit, - do të kishim dashur që ftesa për NATO të merrej nga të tria vendet e Kartës së Adriatikut, por megjithatë, ne kemi besim se shumë shpejt edhe Maqedonia do të mund t’u bashkohet dy vendeve të tjera, për të vazhduar së bashku rrugëtimin për t’u bërë anëtarë të Aleancës. Hapja e dialogut politik për liberalizimin e vizave për vendet tona dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor është rrjedha e natyrshme progresive e marrëveshjes për lehtësimin e vizave”. Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, kryetarja e Kuvendit tha: “Një nga lajmet më të mira nga rajoni ishte njohja e Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi, e bërë në kohën e duhur, duke treguar kështu mendësinë perëndimore të rajonit të orientuar pa kthim drejt integrimit euroatlantik”. “Maqedonia ka mbështetur gjithmonë Planin Ahtisari, - tha zoti Veljanovski. - Duke pasur parasysh edhe ndjenjat e popullit maqedonas ndaj Kosovës, mendoj se e njohëm këtë shtet të ri në kohën e duhur. Ne besojmë se lista e vendeve që e njohin Kosovën do të rritet e, shumë shpejt, ky shtet do të bëhet pjesë e OKB-së”.