E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Ligji i përgjimeve vë nën kontroll jetën e shqiptarëve

Ylli Manjani Tiranë, 11 Nëntor, 14:00, NOA - Qeveria shkel të drejtën kushtetuese te jetës private të qytetarëve me projektligjin për përgjimet, tha sot në mesditë kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe Administratës në PS, Ylli Manjani. Sipas tij, në vijim të nismave ligjvënëse, anti demokratike që qeveria e Sali Berishës ka ndërmarrë, sot gjendet në Kuvend edhe një projekt ligji për ndryshime ne ligjin për përgjimet telefonike. Duhet të kujtoj se vetëm pak muaj më parë qeveria miratoi me dhunë kartonësh një ligj për përgjimet, ku i jepet kompetencë e gjerë policisë së shtetit. Tani me projekt ligjin e ri, qeveria kërkon të përgjojë telefonin i çdo shqiptari, sa herë që kjo kërkohet nga Sali Berisha ose ministrat e tij, tha ai. Manjani shtoi se, kjo do të thotë se: Çdo biznesmen që përdor telefonin për të bërë biznes, duhet të llogarisë se biseda e tij mund të merret nga qeveria dhe të përdoret kundër interesave të tij legjitime. Çdo gazetar që raporton lajmin nëpërmjet telefonit, do t'i duhet të llogarisë se lajmi më parë kalon nga Kryeministri! Çdo gjykatës apo prokuror apo zyrtar që konsumon biseda private në telefonin e tij do bëjë mirë që mos harrojë të thotë fjalë të mira për Kryeministrin, nëse do të rrijë në punë. Kjo është mënyra se si e koncepton pavarësinë kushtetuese Sali Berisha. Çdokush që përdor telefonin për të komunikuar me të dashurit e tij apo saj,tashmë duhet të mbajë në konsideratë se do ti duhet të ndajë bisedën me Sali Berishën. Dua të tërheq vëmendjen se ky qëllim i Sali Berishës bie ndesh me liritë dhe të drejtat themelore të shtetasve. Kushtetuta e vendit në nenet17, 35 dhe 36 garanton të drejtën e ruajtjes së jetës private të çdo shqiptari. Kurse qeveria i shkel këto të drejta kushtetuese! Me kësi ligjesh Partia Socialiste nuk mund të pajtohet. Ndaj ne i bëjmë edhe njëherë thirrje maxhorancës të ndalojë dhunimin qe qeveria i bën e lirive dhe të drejtave kushtetuese të shqiptarëve, përfundoi Ylli Manjani. NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›