E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti Besnik Bare përfundon në spital Lënë grevën edhe katër simpatizantë të tjerë

Autori i Lajmit: Redaksia

Ka qenë ora 13 e 35 minuta e ditës së djeshme kur deputeti grevist Besnik Bare është nxjerrë me barelë nga greva për tu dërguar nëpërmjet një ambulance në spital për ndihmë urgjente. Bare është i 19-ti grevist që dërgohet në spital në kushtet e një situate shëndetësore të rënduar, si pasojë e grevës së urisë të nisur prej 10 ditësh. Ndërkohë, në orët e pasditës, një tjetër grevist është dërguar në spital, Andi Hajdari, një 22-vjeçar nga Tirana. Largimi i tij nga tenda e ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka çuar në 20 numrin e grevistëve që shtrohen në spital. Gjendja e tij ka qenë e rëndë që në orët e para të mëngjesit, ndërsa dhimbjet akute në stomak e kanë bërë të papërballueshme grevën edhe për të. Ai është dërguar menjëherë drejt Qendrës Spitalore Universitare, QSUT. Ndërkohë që më herët janë shoqëruar për në spital tre grevistë. Saimir Gura nga qyteti i Shkodrës është shoqëruar në spital nga deputeti socialist Fatmir Toçi, i cili në orën 06.30 e mëngjesit të djeshëm deklaroi se nata e së dielës, duke u gdhirë e hëna, ka qenë e vështirë për shëndetin e grevistëve, por ata janë të vendosur në objektivin për transparencën e zgjedhjeve. Bujar Neziri, djaloshi 25-vjeçar, dje në mesditë është transportuar me ambulancë në repartin infektiv të QSUT-së për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Edhe Lekë Njeza, mes duartrokitjeve nga të pranishmit, është transportuar me barelë në ambulancë drejt QSUT ku i është nënshtruar kontrollit mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Pra gjatë ditës së djeshme janë transferuar për në spital, nën kontrollin e mjekëve, pesë grevistë.

Ky lajm është publikuar: 11/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›