Deputeti Gerti PD, Bogdani: “Edi Rama ka frikë nga rezultati përfundimtar”
Deputeti demokrat për qarkun e Tiranës, Gerti Bogdani, ka denoncuar frikën e kandidatit të Partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës mbi rezultatin dhe i ka kërkuar publikisht z. Rama të mos krijojë tension e gjuhë provokuese në përpjekje për të ndaluar numërimin e votave. Deputeti demokrat tha se duket qartë që Edi Rama ka frikë nga rezultati përfundimtar dhe në këto kushte po tenton të bllokojë procesin e numërimit të votave të qytetarëve të Tiranës.
“E di që të gjithë jemi në pritje të rezultatit, por ne vazhdojmë të presim me durim që ky proces të përfundojë. Tashmë është bërë e qartë se Edi Rama është shumë i frikësuar nga rezultati përfundimtar që do të dalë pasi të jenë numëruar të gjitha votat dhe zëri i të gjithë qytetarëve të jetë dëgjuar. Për këtë arsye, ai po përpiqet të vjedhë vota të pa-numëruara duke i lënë ato jashtë procesit, duke hedhur akuza absurde njëra pas tjetrës.
KQZ duke vepruar si KZAZ për Tiranën po i numëron votat e pa-numëruara drejtpërdrejt në TV. Këto vota po merren nga kuti të vulosura dhe kjo mund të shihet drejtpërdrejt në TV. Këto vota po shqyrtohen në mënyrë të hapur dhe transparente dhe e gjithë bota mund ta shohë këtë drejtpërdrejt në TV. Vetë përfaqësuesit e Edi Ramës në KQZ kanë pasur mundësinë ti kontestojnë këto vota drejtpërdrejt në TV. Këto vota po numërohen drejtpërdrejt në TV. Është e qartë se Edi Rama nuk dëshiron të dëgjohet zëri i çdo qytetari”, tha Bogdani.
Ai kontestoi se Edi Rama po urdhëron militantët e tij që të bllokojnë akset rrugore me synimin e vetëm që të mos numërohet deri në fund verdikti kushtetues i qytetarëve të Tiranës.
“Për çfarë arsye tjetër do t’i bllokonte Edi Rama rrugët në gjithë Shqipërinë në përpjekje për të ndaluar numërimin e votave, madje dhe votave të tij? Për çfarë arsye tjetër do ta rrethonte Edi Rama KQZ në përpjekje për të ndaluar numërimin e votave, madje dhe votave të tij? Për çfarë arsye tjetër do të përpiqej Edi Rama të ngadalësonte numërimin e votave në KZAZ e Njësisë nr 5 në përpjekje për të ndaluar numërimin e votave, madje dhe votave të tij. Për çfarë arsye tjetër do të shkelte Edi Rama mbi shtetin ligjor për të krijuar tension në përpjekje për të ndaluar numërimin e votave, madje dhe votave të tij? Për çfarë arsye tjetër do të përdorte Edi Rama gjuhë provokuese dhe kërcënonte zyrtarët e administrimit zgjedhor në përpjekje për të ndaluar numërimin e të gjitha votave, madje dhe votave të tij. E vetmja pyetje që mbetet për t’u bërë është pse nuk dëshiron Edi Rama që çdo votë të numërohet?”, konkludoi deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, Gerti Bogdani.