E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vota në kutinë e gabuar - votë e vlefshme, kutia pjesë e administrimit - jo pjesë e votimit”

21-05-2011 / Gazeta 55

Intervistë me kryetarin e KQZ Arben Ristani mbi punën e KQZ
 
Kryetari i KQZ-së Arben Ristani e ka quajtur të rregullt dhe në përputhje me Kodin Zgjedhor, procedurën e numërimit të votave të kontestuara. Në një intervistë për “Deutsche Welle” ai shprehet se, “është e drejtë e votuesit sigurisht të votojë dhe të hedhë votën e tij në kutinë e votimit, por është detyrim i administratës zgjedhore që vota të shkojë atje, ku votuesi e ka nisur”.
Duke e cilësuar votën në kutinë e gabuar, si një votë të vlefshme, Ristani ka sqaruar më tej se, kutia është pjesë e administrimit dhe jo pjesë e votimit.
Duke komentuar protestat e opozitës, kreu i KQZ, ka kujtuar se, “Shqipëria është shtet ligjor dhe vend institucional dhe konfliktet në Shqipëri zgjidhen nga institucionet dhe mbi bazën e institucioneve dhe të ligjit”.
Për sa i përket, kohës së mundshme për daljen e rezultateve zyrtare, Ristani ka bërë të ditur se kjo gjë mund të ndodhë për dy – tre ditë.

Procedura e numërimit të votave kontestuese nga KQZ është e parashikuar në Kodin Zgjedhor? Pse nuk u publikuan rezultatet sipas kodit brenda 48 orësh pas përfundimit të votimit?
Sigurisht që është brenda Kodit Zgjedhor procedura e numërimit. Asnjë veprimtari e KQZ nuk mund të jetë jashtë Kodit Zgjedhor dhe kuadrit ligjor, që Shqipëria ka. Është një procedurë në fakt, që nuk është ndjekur herë tjetër. Por KQZ në bazë të Kodit Zgjedhor ka të drejtën të unifikojë praktikën dhe për raste të tilla, që ndodhin për herë të parë, ndoshta çelin rrugën nga këtu e mbrapa që kjo lloj çështje do të trajtohet në këtë formë. Është e drejtë e votuesit sigurisht të votojë dhe të hedhë votën e tij në kutinë e votimit, por është detyrim i administratës zgjedhore që vota të shkojë atje, ku votuesi e ka nisur.

KQZ nuk i publikoi rezultatet, që sipas tyre i binin për shtat kandidatit te PS, zotit Rama, i cili doli me dhjete vota fitues. Ndërsa tani procedura, që po ndiqet, i bie për shtat kandidatit të PD, zotit Basha: E gjitha kjo ka krijuar situatë të tensionuar mes dy palëve politike...?
Kodi Zgjedhor parashikon që numërimi duhet të mbarojë në orën 17:00 pasdite të së nesërmes së ditës së votimit. Por ky afat që kur ligji që e ka parashikuar për herë të parë dhe deri më sot nuk është bërë i mundur që të kapet. Për shkak të mënyrës së dominimit që ndjek Shqipëria ky afat është absolutisht i pamundur që të realizohet. Gjithmonë numërimi zgjat më tepër. Këtë herë ndodhi një gjë e veçantë që normalisht duhet të ndodhë një herë në një mijë vjet ku një popull, një masë votuesish prej 250 mijë vetash, kandidatët të ndahen me njëri-tjetrin me dhjetë vota. Pra është një veçanti e këtij procesi dhe kjo nxori në pah edhe këtë problem të pazgjidhur në Shqipëri që është vota e hedhur në kutinë e gabuar. Por vota e hedhur në kutinë e gabuar është sigurisht një votë e vlefshme, sepse kutia është pjesë e administrimit nuk është pjesë e votimit. Pra për lehtësi të administrimit votat hidhen në kuti të ndryshme, por votat mund të ishin hedhur edhe në të njëjtën kuti. Por lehtësia e administrimit nuk mund ta bëj të pavlefshme votën e zgjedhësit. Doli për herë të parë ky problem dhe për herë të parë KQZ po përballet me këtë problem dhe duhet ta zgjidhi.

Situata ndërkohë po eskalon. Shqiptarët po dalin nëpër rrugë në shenjë proteste. Shqipëria po ndëshkohet për shkak të kësaj situate. Barroso, presidenti i KE anulon vizitën në Tiranë. Kanë nisur reagimet shqetësuese të ndërkombëtarëve...?
Shqipëria është shtet ligjor dhe vend institucional dhe konfliktet në Shqipëri zgjidhen nga institucionet dhe mbi bazën e institucioneve dhe të ligjit. Përgjegjësinë sigurisht që e marrin ata, që thyejnë rendin ligjor dhe sulmojnë institucionet. Çdo gjë mund të zgjidhet vetëm duke ndjekur rrugën institucionale dhe ligjore.

Zoti Ristani kur priten rezultatet zyrtare?
Ka ende punë për të bërë, ndoshta edhe dy-tre ditë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›