Socialistët mësojnë nga serbët, të parët bllokojnë rrugët në Shqipëri, të dytët bëjnë prita mbi urën e Mitrovicës

“Celulat” e PS-së, gurë dhe goma në rrugë
Sulmet e tre ditëve të fundit të militantëve socialistë ndaj disa prej akseve kryesore të vendit, kthyen vëmendjen tek gjetja e precedentëve të ngjashëm ndaj këtij skenari të “mos bindjes civile”, ku në kryefjalë qëndron shkelja e ligjit. Pa dyshim që, bllokime rrugësh në shenjë proteste ka në çdo vend të botës, por të tejkalohet afati i lejuar ‘protestues’, përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe se mbi përgjegjësit duhet të rëndojë pesha e vetë ligjit. Në këtë sens, socialistët në Shqipëri dhe serbët në Mitrovicë, duket se kanë arritur në korrespondencë marrëveshjen e binjakëzimit të doktrinës “millosheviçiane”, për të aktivizuar kryqëzatat ndaj qeverisë dhe shtetit. Socialistët shqiptarë po bllokojnë akset kryesore të vendit, autostradat, superstradat dhe korridoret e rëndësishme që në momente të caktuara kryejnë shërbime të permanente shkëmbimesh tregtare me vendet fqinje si dhe sigurojnë nevojat më jetike për popullsinë, duke shkaktuar kështu një paralizë të papranueshme, aq sa e ka të pamundur të depërtojë qoftë edhe një auto-ambulancë me një të sëmurë, i cili si domosdoshmëri ka marrjen e menjëhershme të shërbimit mjekësor. Në këtë sens, tek socialistët e rrugës ka vdekur çdo ndjenjë humane, përsa kohë janë duke iu bindur injeksioneve ideologjike të Millosheviçit, Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit, për të penguar me çdo kusht përparimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e tyre të vërtetë, atë të integrimit Evropian. Lidhjet e socialistëve me kartelin kriminal të Mugoshës dhe Popoviçit janë sa të hershme aq edhe konkrete. Fakte këto që i njeh shumë mirë historia pluraliste, pasqyrimi i së cilës është bërë në rrugë logjike dhe mbi bazë vërtetësinë. Dushan Mugosha dhe Enver Hoxha, kanë lënë trashëgimni të pasur përmes zezonjës Nexhmije Hoxha se, të majtët politikë duhet të marrin mësime nga serbët se si sabotohet ardhmëria euro-atlantike e një kombi progresisht dhe me dinjitet evropian. Ashtu sikurse thoshte Mugosha se “ne serbët i mësuam Enver Hoxhës se si të instalonte kthetrat e komunizmit eksperimental në mënyrë që kombi shqiptar të zhbëhej”, edhe sot e kësaj dite pas-ardhësi i nomeklaturës ‘hoxhiste’, Edvin Rama, merr mësime antishqiptare nga serbët. Këta të fundit kanë shpallur të jashtëligjshme qeverinë e Kosovës dhe bllokojnë sa herë iu mbushet mendja urën që bashkon Mitrovicën...për analogji, edhe njerëzit e Ramës po bëjnë të njëjtën gjë... s’njohin qeverinë dhe përkundrejt kësaj teze “titiste”, bllokojnë autostradat e vendit si dhe shkaktojnë incidente duke dhunuar forcat e rendit. Si përfundim, në Kosovë, paralajmërimet janë të natyrës që, nxitësit e akteve të dhunës, të cilët cenojnë sigurinë dhe stabilitetin e vendit, do marrin përgjigjen e menjëhershme të drejtësisë. Të njëjtin apel shpresojmë edhe ndaj huliganëve socialistë, të cilët prej 3 ditësh gjenden si post-bllok në disa prej akseve kryesore të vendit...
“Celulat” e PS-së, gurë dhe goma në rrugë
Të shpërndarë në celula, simpatizantë të Partisë Socialiste, të drejtuar nga njerëz me imunitet, kanë krijuar shqetësim në qarkullimin rrugor në disa akse nacionale, duke vendosur gurë e goma për t’u vënë flakën më pas. Të ashtuquajtura protesta e socialistëve ka nisur edhe në Sarandë, ku kanë bllokuar urën e Gajdarit. Në Berat, protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin e Urës Vajgurore. Mbështetësit e PS, 20-25 militantë, protestuan edhe në Pogradec, ku edhe atje është bllokuar aksi Pogradec-Përrenjas, me gurë e goma makinash. Në protestë janë ngritur edhe simpatizantët e Fushë-Krujës të cilët bllokuan autostradën Fushë Krujë-Shkodër, duke i bllokuar kështu Tiranës lidhjet me zonat veriore. Protestuesit në jug bllokuan me goma makine aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë. Kurse në Elbasan, turma e drejtuar nga deputetë socialistë dhe drejtues të qeverisjes vendore bllokuan aksin rrugore Elbasan- Librazhd. Në Fier, serish turma i është drejtuar Urës së Mbrostarit duke bllokuar aksin rrugor Fier- Lushnjë. Në Vlorë, dhjetëra njerëz i janë drejtuar Urës së Mifoli, ashtu siç edhe vepruan një ditë më parë. Ashtu siç ishte parashikuar pasditen e se premtes rinisen protestat e Partisë Socialiste në disa qytete të vendit. Ajo çka është vërejtur gjatë këtyre tubimeve, ka qenë fjalori vulgar dhe agresiv i pjesëmarrësve të cilët drejtoheshin nga deputetë. Turmat kanë patur për pjesëmarrës punonjës të administratës vendore si dhe persona me precedentë penalë. Nisur nga fakti që për të ruajtur qetësinë, policia nuk ka bërë asnjë ndërhyrje, por ka kërkuar në vazhdimësi të mos ushtrojnë terror dhe dhunë ndaj kalimtarëve. Por kjo duket se nuk ka shqetësuar organizatorët e turmave të cilët i kanë drejtuar ata në bllokim të qarkullimit duke shkaktuar kaos dhe shqetësim për udhëtarët. Një ditë më parë, Policia e Shtetit raportoi për ndjekjet penale të realizuar nëpër rrethe ndaj individëve të cilët kanë organizuar grumbullime të paligjshme si dhe kanë ushtruar dhunë ndaj kalimtarëve.
Rrjeti i shoqërisë civile denoncon dhunën e opozitës: "Deputetë dhe militantë të PS po paralizojnë akset kombëtare”
Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile shpreh indinjatën e thellë për acarimin e pavend të klimës politike në vend, ndërsa publiku shqiptar është në pritje të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore të 8 Majit 2011. Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile dënon frymëzimin politik dhe deklaratat luftë-nxitëse që kanë prodhuar akte dhune dhe vandalizëm në rrethe të ndryshme të vendit, ndërsa kërkon ndërprerjen e menjëhershme të presionit fizik e politik mbi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si institucionin kryesor – i cili ka tani fjalën në administrimin e votës së popullit. Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile i bashkohet korit të zërave të arsyeshëm nga brenda dhe jashtë vendit, për të lejuar institucionet që të bëjnë detyrën e tyre, deri në numërimin e plotë të çdo vote. Ne besojmë se vetëm kështu Shqipëria do t’i japë fund epokës së zgjedhjeve të dhunuara dhe pretendimeve për legjitimitet të cenuar të përfaqësimit nga seicila palë. Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile konsideron se deklaratat e Komisionit Europian, të përfaqësuesve të SHBA, të europarlamentares Pack etj janë në unison me interesat madhore të popullit shqiptar dhe mbrojnë vullnetin e qytetarëve për të thelluar procesin e nisur të integrimit europian të vendit. Këto ngjarje të fundit janë në vizionin tonë vazhdim i orkestruar i qëndrimit të mëparshëm të ndonjë pale, e cila refuzoi paraprakisht të deklaronte njohjen e rezultatit të zgjedhjeve, në rast të humbjes së tyre me votë. Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile i gjen absurde protestat e opozitës në qytetet ku ajo është shpallur fituese e zgjedhjeve. Po ashtu, bllokimet e rrugëve kombëtare, marshimet drejt Tiranës dhe tubimet e paligjshme të deritashme, përbëjnë një precedent të rrezikshëm të kulturës politike në vend dhe cenojnë rëndë përparimin e shënuar në zhvillimin dhe administrimin e zgjedhjeve të 8 Majit 2011. Asnjë akt dhune apo formë presioni nuk prodhon legjitimitet dhe nuk favorizon asnjë palë. Aktet e dhunës dhe vandalizmi në këto çaste do të ishin veçse një akt kriminal kundër imazhit të vendit dhe kundër përcaktimit plebishitar pro-perëndimor të shqiptarëve. Ne jemi të bindur, se publiku shqiptar – ashtu si deri më tani, nuk do të bjerë pre’ e këtyre ngjarjeve të shëmtuara, që evokojnë në mënyrë perfide imazhet e vitit 1997. Rrjeti Kombëtar i Shoqërisë Civile gjithashtu u kërkon të gjitha palëve që të respektojnë ligjin dhe të shmangin provokimet, ndërsa shpreson se agjensitë e zbatimit të ligjit do të reflektojnë menjëherë për detyrimet e tyre kushtetuese. Asnjë përfaqësues politik – ligjbërës ose jo, nuk ka të drejtë ta konsiderojë veten mbi ligjin dhe rendin kushtetues. Asnjë qytetar nuk ka përse të ndjehet i dhunuar për faktin se vota e tij mund të mos numërohet. Është detyrë e institucioneve të mbikqyrin zbatimin e ligjit. Kush flet ndryshe, i bën një dëm të madh demokracisë dhe progresit.
...