Deputeti Shpëtim Idrizi betohet në Kuvend

“Bashkëpunim për integrimin, opozita t’i lërë polemikat”
Seanca e djeshme e Kuvendit ka nisur me betimin e deputetit të PDU-së Shpëtim Idrizi, i cili vendosi të zërë vendin e tij në parlament pasi u shkëput nga Partia Socialiste. Menjëherë pas betimit të tij si deputet i legjislativit të ri, Idrizi mbajti fjalën e tij përpara deputetëve të mazhorancës, të pranishëm në sallën e Kuvendit. Duke konsideruar si të domosdoshme pjesëmarrjen e Partisë Socialiste në Parlament, Idrizi theksoi nevojën e gjetjes së një gjuhe bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës.
Gjatë fjalimit të tij në seancën plenare Idrizi ka theksuar se PDU-ja do të bashkëpunojë me të gjithë dhe do të votojë pro atyre ligjeve që përshpejtojnë integrimin e vendit. Deputeti Idrizi shprehet se opozita nuk po e zë vendin e vet në parlament dhe polemikat vazhdojnë duke rrënuar kapacitetet konstruktive të shoqërisë.
Nuk mund ta injoroj në diskutimin tim të parë bojkotin e opozitës për shkak të pakënaqësive të saj për mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet. Në lidhje me këtë çështje, do të propozoja që të gjenden rrugët për të vendosur kontaktet midis pozitës dhe opozitës, duke ju shmangur komunikimit në distancë”.
“Ne jemi shpallur si parti e interesit kombëtar, duke e konsideruar çështjen kombëtare si prioritetin e aktivitetit tonë politik. Ne, një grup intelektualësh, që qëndrojnë mbrapa iniciativës së themelimit, kemi bindjen se kjo çështje, përkufizimi i saj nuk është diçka e pandryshueshme, por diçka dinamike, pra diçka që është në funksion të asaj sesi ndryshon pozita e kombit dhe e popullit tonë në rrafsh rajonal dhe botëror”.
Gjithashtu deputeti i PDU-së Idrizi foli dhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe funksionimi normal i saj si shtet sovran, deri në integrimin e saj të plotë në BE, përparimi i statusit të shqiptarëve të Maqedonisë, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare të trajtimit të popullsive me peshë aq të madhe demografike brenda tërësisë demografike të një shteti.
Duke vijuar më tej, ai tha se “do të bëhemi zëri përfaqësues i të gjithë organizimeve të shoqërisë civile që punojnë për të njëjtin qëllim-përparimin në begati të shoqërisë sonë”. Shpëtim Idrizi u largua nga Partia Socialiste dhe së bashku me deputetin e zgjedhur nga PDI-ja Dashamir Tahiri, krijuan Partinë Drejtësi dhe Unitet e cila sipas tyre do të fokusohet në zgjidhjen e çështjes çame.
Me hyrjen e deputetit Shpëtim Idrizi në Parlament shkon në 76 numri i deputetëve të cilët janë betuar si deputetë të kësaj legjislature.
...