E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendëskryeministri kinez takon kryeparlamentaren, Jozefina Topalli

“Marrëdhëniet Shqipëri – Kinë, të shkëlqyera në të gjitha fushat”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi dje një takim me Zëvendëskryeministrin e Republikës Popullore të Kinës Zhang Dejiang dhe delegacionin që e shoqëronte.

Duke shprehur kënaqësinë e veçantë për vizitën e Zëvendëskryeministrit Dejiang në Shqipëri, kryetarja e Kuvendit theksoi se kjo vizitë shënon një ngjarje shumë të rëndësishme për konsolidimin e miqësisë dhe në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në shumë fusha mes dy vendeve tona.

Ndërsa Dejiang, duke falënderuar për miqësinë dhe mirëpritjen e përzemërt nga ana e shtetit shqiptar, vlerësoi se ishte i  nderuar që kishte zgjedhur të bënte vizitën në Shqipëri pikërisht në jubileun  e  60 vjetorit të vendosjes së  marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Gjithashtu ai i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet më të përzemërta të Kryetarit të Asamblesë Popullore, Wu Bangguo. Ai vlerësoi në mënyrë të veçantë kontributin e Jozefina Topallit në zhvillimin e kontakteve të shpeshta midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Popullore të Kinës.

Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen e saj duke thënë se “midis dy vendeve tona  ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe parlamentare. Shqipëria ka të gjithë potencialin si dhe gëzon miqësinë dhe mbështetjen e Kinës, për t’i dinamizuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin në të gjitha fushat: ekonomike, tregtare, në arsim , teknologji, kulturë me interes të përbashkët”.

Kryetarja e Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i Kinës shprehën besimin se kjo vizitë në vijim të vizitë së kryeministrit Berisha në Kinë, do të shënojë një shtysë tjetër në dinamizmin e marrëdhënieve ekonomike  dhe nënshkrimin e marrëveshjeve me interes  të ndërsjellët.

Duke u ndalur në zhvillimin të ekonomisë së Kinës, kryetarja e Kuvendit shprehu admirimin e saj për reformat e jashtëzakonshme që Kina,  ka ndërmarrë për të fuqizuar ekonominë dhe për të prosperuar jetën e popullit të vet, gjë që Kina mike, po ia del me shumë sukses. Jozefina Topalli vlerësoi Kinën si një model të zhvillimit të  shpejtë të ekonomisë, mbështetur edhe në arritjet e jashtëzakonshme në  teknologji dhe industri elektronike dhe theksoi se “për Shqipërinë janë me interes të madh, shkëmbimet në këto fusha”. Zëvendëskryeministri  Dejiang  tha se, “Kina, është e vendosur të ndërmarrë hapa konkretë për  dinamizmin e marrëdhënieve ekonomike tregtare me Shqipërinë, dhe në tërësi bashkëpunimin  në të gjitha fushat”. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›