E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti Xhafaj feston ditëlindjen brenda çadrave

Atmosfera Arrin në 53 numri i grevistëve të larguar

Grevistë që lënë çadrën e protestës për t’iu drejtuar spitalit dhe deklarata politike që shoqërojnë këtë situatë që ka hyrë në ditën e 17-të; ky është një ritual dominues i aksionit të opozitës që e ka përqendruar energjinë e vet përpara selisë së qeverisë. Cikli shëndetësor ka nisur të përcaktojë ritmin ditor politik, duke nxitur boshatisjen e çadrës ku ende janë të ngujuar 150 grevistë të urisë. Regjistrimi i ngjarjeve të këtilla nuk ka munguar edhe dje, teksa dy deputetë dhe tre shtetas tjerë janë përcjellë për në QSUT për shkak të përkeqësimit të gjendjes së shëndetit. Besnik Baraj, deputet i Tiranës është detyruar për herë të dytë të largohet, i paraprirë nga kolegia e Beratit, Ermonela Felaj. Më herët në mëngjes, rreth orës 08.40 Agim Seva, 40-vjeçar nga Lushnja ka lënë çadrën për të zgjeruar statistikën e një ngjarjeje që po zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. E njëjta gjë ka ndodhur në orët e darkës edhe me Armando Uruçin nga Tirana dhe Viktor Hilën nga Guri i Zi. Jo vetëm kohëzgjatja në një mjedis të përbashkët, por edhe ngjarje personale duket se kanë krijuar tiparet e një komuniteti njerëzor që po ndan përveç dramës së përditshme edhe momente të veçanta. Ditëlindja e deputetit Fatmir Xhafa duket se ka qenë një e tillë dhe që nuk i ka munguar edhe vëmendja e kreut socialist, Edi Rama. Një tufë me lule nga ky i fundit ka qenë dhurata për Xhafën që është edhe drejtuesi më i lartë i përfshirë në grevën e urisë. Mes rënies së shëndetit dhe solidaritetit kjo protestë e opozitës e cilësuar në formë si ekstreme, po hyn në fakt në momentin më ekstrem të vetin. 17 ditë ngujim fizik në emër të një kërkese politike po vijojnë të përcjellin monotoninë e vet për shkak të heshtjes që po has pretendimi opozitar për transparencë të zgjedhjeve. Një përgjegjësi politike kjo që i shkon Kryeministrit Sali Berisha, i cili në këto ditë të vështira komunikimi me kundërshtarët e vet nuk ka munguar që të rikonfirmojë profilin e tij tradicional. Në mungesë të një zgjidhjeje ende të pambërritur, kryetari i PS ka vijuar edhe dje me mesazhet e veta politike që apelojnë për një dalje të butë nga kjo situatë e rënduar. Përballë kësaj heshtjeje të qeverisë, Rama ka zbuluar alternativën e opozitës që paralajmëron zgjatjen e krizës dhe vijimin e një lufte nervash që po sjell tensionimin gradual të gjendjes. Zëvendësimi i grevistëve të larguar me të tjerë vjen kështu në vëmendje të publikut si një moment që parakupton zgjatjen në kohë të saj. Koha fizike e një greve urie po paralajmërohet kështu si e pakufizuar përmes rinovimit të pjesëmarrjes, duke proceduar me zgjidhje radikale në një kohë kur marrëveshja duket e largët. Apeli i kreut opozitar në këtë drejtim nuk ka lënë vend për interpretime për sa kohë që ai thjesht ka ftuar Kryeministrin të pranojë kërkesat e opozitës. “Ajo që unë dua të përsëris është apeli për ta zgjidhur me forcën e arsyes këtë krizë dhe për të bërë transparencë...Pa krijuar plagë të reja të panevojshme, pa u vendosur kokëfortësisht në një pozicion ku nuk ka asnjë arsye, po ku ka vetëm një kokëfortësi që nuk dëshmon në asnjë mënyrë interesat e njerëzve, por dëshmon interesa që nuk kanë të bëjnë me njerëzit”, deklaroi kreu i PS në ditën e 17 të grevës së urisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›