E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamuk, mes traditës turke dhe Perëndimit

Mbi dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa” shkrimtarit turk Orhan Pamuk, fitues i çmimit “Nobel” për letërsi nga Universiteti i Tiranës

Orhan Pamuk është shkrimtari i shquar i kohës sonë, që i ka kapërcyer kufijtë e vendit të vet, Turqisë. Fitues i çmimit prestigjioz “Nobel” në letërsi, që ai vet e quajti në ceremoninë e këtij rasti kremtim të gjuhës e kulturës turke, i përkthyer në mbi 40 gjuhë, i komentuar dhe i vlerësuar lart si qytetari i botës që dëshiron ura lidhëse mes Lindjes e Perëndimit, pasqyrues i hollë i shpirtit melankolik të vendlindjes, ky krijues, ka tërhequr sot vëmendjen e miliona lexuesve, që është dhe ëndrra e çdo shkrimtari. Lindi më 7 qershor të vitit 1952 në Stamboll, qytet ky që në fakt u bë dhe sfondi e simbolika e veprës së tij letrare, me larminë kulturore, me kujtesën e kohëve impresionuese perandorake, që ai qytet metropol shfaq.

Romani është gjinia, ku Orhan Pamuk e ka shpalosur në mënyrën më të plotë e më harmonioze talentin e vizionin e tij artistik. “Xhevdet beu dhe të bijtë” (1982) është vepra e parë, ku, përmes tri gjeneratave, përshkruan rrugën e familjes, nga tradita osmane në kërkim të referencave të reja morale të botëvështrimit. Ky u bë në fakt një motiv themelor, me përmbajtje filozofike dhe sociale, që u shfaq dhe në romane të tjerë të mëpasmë si: “Kështjella e bardhë” (1985), “Unë jam e kuqja” (2000), “Bora” (20002), “Stambolli” (2003). Elementet biografikë janë mjaft të pranishme në veprën e këtij shkrimtari, por ato kanë vlerë për aq sa referojnë e potencojnë bindshëm emocionin artistik, pasi në fakt, ato ngrihen në nivelin e vlerave dhe mesazheve universale, përtej një vendi e përtej një epoke reale historike. Duke qenë rrëfyes i mprehtë dhe mjaft i talentuar i një realiteti specifik, të tërhequr mes traditës myslimane dhe modelit perëndimor, në fakt, ai udhëhiqet nga mendimi se ato kanë gjasa të funksionojnë e të pasurojnë njëra-tjetrën e jo të vështrohen si kundërthënëse, përjashtuese e si konfrontim qytetërimesh. Ky është vizioni i shkrimtarit, jo vetëm me mendje të hapur, por dhe i humanistit e qytetarit të lirë të botës. Ai e do pa masë vendin e vet dhe në emër të kësaj dashurie i shquan mirë vlerat e shumta që ai mbart, por edhe sfidat e natyrave të ndryshme, gjë për të cilën edhe është keqkuptuar në ndonjë rast. Për konceptin e tij, vështrimi kompleks dhe jo bardh e zi, i hap udhë orientimit për nga progresi dhe e vërteta. Ky model konceptual është në simetri edhe me strukturën ligjërimore të veprave, të cilat përcjellin tipin e tekstit ku ndërthuret tradita narrative e lindjes me avangardën perëndimore. Si një vepër e karakterit postmodernist, ajo është krahasuar për nga poetika dhe fryma filozofike me atë të Prustit, Borghesit, Markezit, Eko-s. Nga kurora e veprës së O. Pamukut kanë nisur të kthehen në shqip mjaft nga romanet e tij si: “Unë jam e kuqja” (2006), “Bora” (2007), “Baulja e babait” (2007), “Kështjella e bardhë” (2008). Komunikimi i tyre në shqip ka qenë një ngjarje letrare, që është kuptuar nga mirëpritja e lexuesit dhe përcjellja që i ka bërë kritika në media të ndryshme. Vepra të tilla janë pjesë e fondit të artë të librit që mban gjallë shijen e lartë të leximit. Duke i dhënë sot titullin Doctor Honoris Causa, Universiteti i Tiranës (do të thotë mbi 30 mijë studentë e profesorë të tij), bëjnë mik një shkrimtar të shquar, si Orhan Pamuk, dhe, përmes tij, kanë privilegjin të fitojnë komunikimin e kontaktin me galerinë e pasur të personazheve të veprës që ai shkroi dhe me vet qytetërimin dhe kulturën e madhe turke. Nga ana tjetër, në auditorët e këtij universiteti, shkrimtari, do të ketë po kaq lexues besnikë të veprave të tij të botuara e ato të pritshme. Duke besuar fort në pritjen shumë të mirë të lexuesit shqiptar të kësaj vepre, nuk mendojmë se kjo shpjegohet vetëm me arsyet e ekzistencës së kontakteve historike të religjionit e kulturave mes dy popujve tanë. Mbi të gjitha, në këtë rast, është një religjion, apo besim i një natyre tjetër, që na bashkon, ai i artit të madh, i cili komunikon pa njohur kufij racorë, kulturorë e fetarë. Ky ishte dhe mesazhi i shkrimtarit, kur deklaronte në një intervistë të tij: Unë jam fetar. Feja ime është arti i romanit… Dhe ndjekësit e shumtë të këtij besimi të hirshëm ndaj artit të përbotshëm letrar, shquajnë tashmë qartë se, një nga patriarkët e sotshëm dinjitarë, është padyshim Orhan Pamuk!

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›