E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, tre vlerësues të dëmeve nën akuzë

Dosja Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për Aliun, Mazarin dhe Deçkën. Shkaktuan 8 milionë lekë dëm

Tre vlerësues të dëmeve të shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit janë zyrtarisht nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës. Gëzim Aliu, punonjës i Bashkisë së Vorës, Mirela Mazari dhe Lamion Deçka punonjës të ALUIZNI-t, akuzohen për “shpërdorim detyre”. Sipas hetimeve për procedimin penal numër 1921/1, tre të pandehurit i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 8 milionë lekësh. Kallëzimi për këta persona është kryer nga Bashkia e Vorës, por edhe një material i hollësishëm i është referuar prokurorisë nga Policia e Shtetit, për shkak se kjo e fundit kishte marrë disa kallëzime nga qytetarët e dëmtuar nga vlerësimi jo real.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, në datë 8 prill 2009, një grup ekspertësh, i përbërë prej pesë vetash, dorëzoi të plotë ekspertimin e kryer në zonën e prekur nga shpërthimi teknologjik i Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona, ndërsa mbi 300 të tjerë u plagosën dhe zona përreth u dëmtua. Në bazë të këtij ekspertimi, 24 banesa kanë diferenca në shumën e përcaktuar nga vlerësimi i parë që u krye pas shpërthimit të fabrikës së demontimit të municioneve. Sipas akuzës, në ekspertimet e kryera nuk kanë marrë pjesë tre të pandehurit Gëzim Aliu, Mirela Mazari dhe Lamion Deçka.

Prokuroria ka referuar çështjen në gjykatë për këta zyrtarë në bazë të gabimeve në vlerësime. Banesat janë mbivlerësuar. Banesa e parë i përket shtetasit Shkëlqim Gjikola. Vlerësimi i parë ka qenë 2.7 milionë lekë. Vlerësimi i dytë ka qenë 3.5 milionë lekë, ndërsa vlerësimi i ekspertëve proceduralë ka qenë 2.1 milionë lekë. Banesa e dytë e mbivlerësuar ka qenë ajo e shtetasit Sadik Gjikola. Vlerësimi i parë ka qenë 5.1 milionë lekë. Vlerësimi i dytë është dyfishuar, duke kapur shifrat e 10.1 milionë lekëve. Ndërkohë, vlerësimi i ekspertëve proceduralë ka qenë 5.3 milionë lekë. Banesa e tretë që është mbivlerësuar i përket shtetasit Haxhi Gjikola. Vlerësimi i parë 2.7 milionë lekë, i dyti 3.5, ndërsa vlerësimi i ekspertëve proceduralë ka qenë 1.8 milionë lekë. Ndërkohë, prokuroria ka përcaktuar se dëmi i shkaktuar në total nga këta shtetas është 8 milionë lekë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›