“Mosvotimi i imunitetit nga PS, qëllim i mbrapshtë dhe ligësi primitive politike”

Intervista/Flet Enkelejd Alibeaj, deputeti i Partisë Demokratike, anëtar i Komsionit të Ligjeve
“Pra teksa e votuan në parim u shprehën se politikisht kanë qëndrim pozitiv, teksa e votuan nen për nen u shprehën se teknikisht amendamenti është në rregull, mosvotimi në tërësi shpreh vetëm qëllimin e mbrapshtë dhe të palogjikshëm të mosrealizimit të reformës thjesht për ligësi primitive politike”.
Kështu e komenton qëndrimin e opozitës ndaj draftit për heqjen e kufizimin e imunitetit Enkelejd Alibeaj.
Në një intervistë të posaçme për gazetën “55” deputeti i PD-së, njëkohësisht anëtar i Komisioni të Ligjeve, shpjegon qëndrimin e PS në këshillin e Legjislacionit për kufizimin e Imunitetit, për zvarritjen e proceseve integruese nga ana e opozitës dhe standardet e dyfishta të Edi Ramës...
Sipas tij, me gjithë pretendimet e PS-së për miratimin e këtij drafti brenda muajit shtator, së bashku me ndryshimet kushtetuese të kruara prej saj, për shkak të kohës së vetë që duan procedurat parlamentare, kjo gjë nuk mundësohet të paktën para muajit tetor.
Për pasojë “tetori i këtij viti e gjen Shqipërinë me një reformë kushtetuese të pa realizuar”, sqaron Alibeaj, muaj për të cilin deputeti Enkelejd Alibeaj, kujton se
Lidhur me shoqate e vërteta, pse deputetët e PS-së, nuk pranojnë të votojnë heqje apo kufizimin e imunitetit, deputeti i PD-së sqaron se kjo mund të shihej nga opozita si arritje e qeverisë, që mund t’i vriste sytë asaj.
“Një realizimi i reformave do të sillte më së paku, marrjen e një vlerësimi pozitiv të Shqipërisë nga faktori perëndimor, teksa mund t’i jepet statusi i vendit kandidat. Një arritje e tillë e cila është dobi për gjithë shqiptarët dhe për çdo krah politik, nga ana e PS do lexohej si një sukses qeveritar”, shton më tej deputeti i PD-së.
Këshilli i Legjislacionit miratoi draftin konsensual të dy relatorëve (PS-PD) për kufizimin e Imunitetit si në parim, ashtu dhe nen për nen, por jo në tërësi. A e rrezikon kjo konsensusin e gjetur nga dy palët për votimin e datës 6 gusht?
Më duhet të saktësoj që në fillim e të jem i drejtpërdrejtë se palët nuk e kanë gjetur deri me tash një konsensus. Deri më tani, opozita ka gjetur si sjellje politike të saj një spërdredhje qëndrimesh, qoftë përballë ndërkombëtareve e qoftë përballë publikut. Konsensus do të thotë një marrëveshje e cila finalizohet në votimin e amendamenteve kushtetuese. Madje votim saktësisht në datën 6 gusht. Çdo shmangie nga kjo datë do të barazohej me moskonsensus. Është pak, fare pak, ajo çfarë deklamohet nga PS për “rënie dakord” mbi tekstin e amendamentit kushtetues. Nëse ka një çështje për të cilën jo sot, por prej shumë kohësh është rënë dakord, është përmbajtja e amendamentit. Çështja për të cilin nuk është rënë asnjëherë dakord, e mesa duket as tani, është vullneti politik për të votuar amendamentin e imunitetit. Ky është realiteti. I hidhur, por i vërtetë. PS dhe Rama, nuk kanë bërë asnjë përthyerje nga qëndrimi i tyre kundërshtues dhe kokëfortë, për “dëmtim” të sukseseve të mazhorancës nëpërmjet dëmtimit të interesave të gjithë shqiptarëve. Nëse dy vite më parë, mjeti që përdorte ishte bojkoti, demonstrata të pakuptimta, bllokim rrugësh, djegie gomash dhe sulme mbi selinë e kryeministrisë, tashmë keqpërdorin atë grusht votash që duhen për realizimin e reformave. Në dukje ka një stil paksa me elegant, porse në thelb ruhet po e njëjta vrazhdësi dhe mizori politike ndaj sfidave të vendit. Kanë marrë pjesë vërtet në disa votime me shumicë të cilësuar, që prej 14 nëntorit të kaluar, por gjithnjë e kanë kushtëzuar me kërkesa të pamundura. Siç po bëjnë tani me amendamentin e imunitetit. Sjellja e tyre nuk ka qenë asnjëherë e sinqertë, e pastër, e vërtetë. Sjellja e tyre ka qenë, thjesht “për dukje” dhe provokative. Në çdo rast ata kanë qenë politikisht “zemërthyer” në marrjen pjesë në këto reforma dhe shpesh të detyruar nga ndërkombëtarët të merrnin pjesë. Gjithnjë PS ka testuar se deri ku do shkonte durimi i ndërkombëtarëve, apo i mazhorancës. Gjithnjë “dhënien e vullnetit” për reformat ligjore e kanë kondicionuar me përvetësime banale të posteve në institucionet e pavarura. Kështu ndodhi me Avokatin e Popullit, kështu ndodhi me ligjin për Gjykatën Administrative, apo me Kodin Zgjedhor. E kanë kuptuar marrëdhënien politike për përmbushjen e reformave ligjore apo rekomandimeve të BE, me ndjesinë e pazarit banal për pushtet. E tillë qasje është edhe ajo aktualja. Amendamenti u votua në parim, u votua edhe nen për nen dhe çuditërisht nuk u votua në tërësi. Pra teksa e votuan në parim u shprehën se politikisht kanë qëndrim pozitiv, teksa e votuan nen për nen u shprehën se teknikisht amendamenti është në rregull, mosvotimi në tërësi shpreh vetëm qëllimin e mbrapshtë dhe të palogjikshëm të mosrealizimit të reformës thjesht për ligësi primitive politike. Thjesht nuk duan ta votojnë, sepse nuk kanë dashur asnjë herë më parë! Megjithëkëtë, aq sa tekanjoze dhe shpesh e pakuptimtë dhe fëminore është qasja e PS, po kaq të mundshme janë edhe ndryshimet rrënjësore të kursit apo qëndrimit politik të saj. Nuk është çudi, që deri me datën 6 gusht, mund të ketë lëvizje të shpeshta ambasadorësh apo misionesh ndërkombëtare në selinë e PS. Nuk është çudi që “trimëritë politike” të Ramës, të mpaken teksa “i tërheqin veshin” deri edhe me nervozizëm, për sjelljen joserioze dhe jo civile. Për pasojë mund të ndodhë që në datën 6 gusht në seancën e Kuvendit, të shohësh që “ushtarët” parlamentarë të PS, t’ia behin me bishtin ndër shalë dhe kokën ulur dhe të votojnë amendamentin kushtetues. Sigurisht mund të ketë edhe fjalime patetike mbi qëndrimin “pro europian” të PS apo sokëllima sipas të cilave, “PS e votoi amendamentin sepse ishte ajo që e përmirësoi tekstin e tij”. Gjithsesi, edhe ky variant aspak dinjitoz dhe qesharak, do ia vlente përkundrejt asaj çfarë shqiptarët mund dhe duhet të arrijnë këtë fundvit për çështje të integrimit.
Kreu i PS Edi Rama kërkon ta shtyjë votimin e kufizimit të imunitetit në shtator me qëllimin ndërhyje të reja në Kushtetutë. Çdo të thotë kjo strategji e opozitës? A ka lidhje kufizimi i imunitetit me reformimin në tërësi të sistemit të drejtësisë, apo janë procese të ndara?
PS nuk po bën asgjë për të fshehur që ajo nuk do, nuk e dëshiron, madje ethshëm po keqpërdor nevojën e votave të tyre, drejt mosrealizimit të reformës së imuniteteve. Këtë e bën jo vetëm për çështje të dëmtimit të procesit të marrjes së statusit kandidat për BE, porse duket se ka përqafuar mendësinë dhe aksionin politik të destruktivizmit. Tashmë sjellja politike e palëve dhe energjitë profesionale nuk janë përqendruar në finalizimin e kësaj reforme, por në demonstrimin qartë në sytë e publikut të pozicionit politik të secilës palë. Kjo ka bërë që edhe mazhoranca të tolerojë dhe të tregohet e durueshme me PS, derisa kjo e fundit të “demaskohet” në sytë e publikut. Është ky përshkrim i fundit i sjelljes politike, qe e bën vështirsisht të arritshëm pjesëmarrjen e PS në votimin e 6 gushtit. Amendamenti ka sens të votohet në 6 gusht, në mënyrë që të sjellë dhe efektin e përmbushjes së njërit prej 12 rekomandimeve e për pasojë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Jo vetëm kaq, porse data 6 është datë e pa negociueshme, sepse që nga momenti që Konferenca e Kryetarëve pranoi të fuste në procedurë shqyrtimi amendamentin kushtetues, kalendari i hapave proceduralë është i paracaktuar prej rregullores. Nuk ka mundësi ligjore të spostohet kjo datë, pas një apo dy javëve apo për në shtator. Rama këtë gjë e di mirë. Nëse nuk realizohet votimi në këtë datë, atëherë procedura duhet filluar nga e para, që minimalisht e shtyn çështjen jo më afër se muaji tetor. Nëse në datën 6 votohet amendamenti por nuk merr 94 vota, atëherë kjo çështje mund të shtrohet për votim vetëm pas një viti!! E nëse Rama këmbëngul që votimi i imunitetit të bëhet me votimin e çështjeve të tjera kushtetuese, atëherë kjo do të thotë që ai kërkon të bëhet një kushtetutë e re. Të tre këto variante kanë një gjë të përbashkët: tetori i këtij viti e gjen Shqipërinë me një reformë kushtetuese të pa realizuar, dhe me shumë gjasë edhe me refuzim të statusit të vendit kandidat. Ndërkohë që nëse Rama e ka shumë për zemër çështjen e reformimin kushtetues të sistemit kushtetues, porse nuk ka arsye pse t’i lidhë këto dy çështje, përveç faktit që pamundësia teorike e realizimit të së dytës, të shkaktojë mosrealizimin praktik të së parës. Nëse kërkon kohë dhe pjekuri për çështjen e imunitetit (çështje që ka së paku 9 vjet që debatohet politikisht, juridikisht dhe diplomatikisht) atëherë edhe çështjes së reformimit kushtetues të drejtësisë duhet t’i kushtojë po kaq kohë diskutimi. Pra çështja e reformimit të drejtësisë në çdo rast nuk bëhet dot në shtator të 2012!! Është pikërisht ky standardi i dyfishtë trajtimi që përdor Rama sot si justifikim të mos votimit. Ndërkohë që është fare e mundshme të ndodhë një ndryshim kushtetues në 6 gusht, porse është e pamundur teknikisht të ndodhë një ndryshim tjetër në shtator në çfarëdo variant, pra qoftë edhe sikur të pranohet logjika që prezanton PS për reformën kushtetuese të drejtësisë. Me ritmin e reformës së imuniteteve, ndryshimet e Ramës mund të konkludohen pas 5 apo 6 vjetësh. E nuk ka gjë të keqe që kushtetuta të rishihet pas kësaj kohe!!
A besoni në gatishmërinë e Partisë Socialiste në përmbylljen e reformave integruese? Pse, sipas jush, opozita e ka zvarritur miratimin e tyre?
Nuk është çështje e sensibilitetit mbi sjelljen e ardhshme të PS, por është çështje e provave që ka dhënë deri më tani. Ka qenë refraktare, obstruksioniste, tekanjoze, jo serioze, jo dinjitoze dhe nuk ka marrë përgjegjësitë politike të saj në këtë proces. Të gjitha këto më bëjnë të kuptoj dhe të kem bindje që PS nuk ka gatishmëri në realizim apo përmbyllje të reformave. Një realizimi i reformave do të sillte më së paku, marrjen e një vlerësimi pozitiv të Shqipërisë nga faktori perëndimor, teksa mund t’i jepet statusi i vendit kandidat. Një arritje e tillë e cila është dobi për gjithë shqiptarët dhe për çdo krah politik, nga ana e PS do lexohej si një sukses qeveritar. Në kushtet kur dalëngadalë po futemi në sezon elektoral, çdo arritje e qeverisë “do t’i vriste sytë” PS, pasi do konkludonte se qeveria mund të fitonte kredo elektorale. (Kjo mund të ndodhë dhe është e drejtë të ndodhë kështu). Ky është arsyetimi që e motivon PS të shndërrohet në një lëvizje dhe mendësi politike destruktive. Është e paaftë të mendojë pozitivisht. Është e paaftë të kapitalizojë politikisht kontributin e saj pozitiv në marrjen e statusit nëse do sillej konstruktivisht. Është e paaftë të shfrytëzojë të gjithë hapësirat dhe dorën e bashkëpunimit si partneritet me mazhorancën, për t’u shndërruar kështu në forcë serioze për të fituar besimin e qytetarëve në zgjedhjet e 2013. Është ende rob i mendësisë se pushteti dhurohet nga qytetarët jo për shkak të meritës së saj, por për shkak të “zemërimit” hipotetik me mazhorancën. Për sa kohë nuk do të ndërrojë këtë mentalitet, stil dhe taktikë politike, po këtë qëndrim duhet të presim prej saj. Pozitive është një gjë në këtë mes: kjo qasje politike gjen mbështetje gjithnjë e më pak se tek gjysma e shqiptarëve. Do të thotë që është e destinuar të mbesë në opozitë. I ngelet asaj të reflektojë.
Intervistoi: Lavdrim Lita