E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti, dhuratë një banesë familjes së varfër



VLORE - Një familje në fshatin Ceprat në Vlorë dje nuk ishte më e varfër. Deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri mbajti premtimin për familjen e varfër që në periudhën e fushatës elektorale duke iu ndërtuar atyre një shtëpi krejt të re. Tahiri vendosi që me pagën e një viti të deputetit të ndihmonte pikërisht këtë familje, banesa e të cilëve ishte gati në të shembur. Familja Kaso me pesë anëtarë jetonte në një varfëri të tejskajshme. Tahiri iu premtoi se do t’i ndihmonte pasi banesa e tyre ishte shumë e vjetër dhe rrezikonte të shembej dhe të shkaktonte edhe viktima. Në këtë familje ndodhet 80-vjeçarja Hyrije Kaso me djalin, nusen dhe fëmijët e tyre. Famija Kaso pasi hyri dje në shtëpinë e re është vizituar nga banorët e fshatit dhe kryetari i komunës, Luli Petani. Ndërsa deputeti Tahiri iu bëri thirrje bizneseve të ndihmojnë familjet në nevojë. 80-vjeçarja Hyrije Kaso e emocionuar dhe e përlotur falënderoi deputetin për këtë bamirësi. “Kishim vite që jetonim me frikë në shtëpinë tonë shumë të vjetër, sepse mund të rrëzohej dhe të na zinte brenda. U ndërtua banesa, por nuk e menduam se do të pajisej me të gjitha orenditë shtëpiake, me dhomë gjumi, dhomë pritje, gardërobë, kuzhinë, televizor, frigorifer dhe deri të pjatat, lugët dhe pirunët. Nuk na besohet se janë shtëpitë tona, duhen ditë të ambientohemi”, u shpreh e moshuara e cila e ka djalin e saj invalid, ndërsa gruaja e tij është pa punë. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›