Zhduket me 2 mijë euro, e mitura gjendet pas tri ditësh
Zhduket me 2 mijë euro një 14-vjeçare nga Korça, gjendet tre ditë më pas në shoqërinë e një djali në qytetin e Fierit. T. Hoxhaj ka dalë nga shtëpia e saj mëngjesin e së premtes, duke thënë se do të shkonte tek gjyshja. Por, ajo nuk u kthye më në banesën e saj. Burime të policisë së Korçës bënë të ditur se prindërit e të miturës kanë bërë denoncimin për humbjen e vajzës të shtunën, pasi kanë pritur me shpresë se nga momenti në moment e bija do të bëhej e gjallë. Bazuar në dëshminë e familjarëve, 14- vjeçarja ka dalë nga shtëpia në orën 07:00 të mëngjesit, e veshur me rroba sportive, xhinse dhe atlete. Disa orë më vonë, pas interesimit tek gjyshja e vajzës është mësuar se ajo nuk kishte shkuar fare atje. Prindërit e kanë marrë në telefon, por ndonëse ai rezultonte i hapur, vajza nuk iu ka kthyer përgjigje. Pas rreth 24 orësh, familja Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e policisë së Korçës, duke u treguar atyre dhe faktin se në shtëpi u mungonin 2 mijë euro. Ata dyshonin se paratë janë marrë nga vajza, në momentin e largimit, duke e bërë edhe më të mistershme arratinë pa lënë asnjë gjurmë të të miturës. Vetë familjarët kanë hedhur dyshimin se vajza e tyre mund të jetë nxitur nga ndonjë person për t’u larguar, i cili ka mësuar dhe për faktin e parave, duke e detyruar 14-vjeçaren t’i marrë me vete. Më parë, vajza nuk ishte larguar nga shtëpia pa lajmëruar dhe për familjen nuk kishte asnjë person që ata të dyshonin se mund të ketë mashtruar të miturën. T.Hoxhaj frekuentonte klasën e gjashtë, pasi kishte mbetur në klasë më parë. Pas interesimit në shkollë është mësuar se ajo prej 1 muaji nuk kishte shkuar fare, fakt për të cilin prindërit kanë pohuar se kishin dijeni. Policia e Korçës nisi kërkimet, duke marrë në pyetje shoqet e të miturës, me qëllim zbulimin e identitetit të personave me të cilët shoqërohej së fundi 14-vjeçarja. Fotografia e vajzës u shpërnda në të gjithë komisariatet e policive në vend dhe pikat e kalimit kufitar. Policia, ashtu si dhe familjarët dyshuan se ajo mund të jetë mashtruar nga ndonjë person, i cili ka pasur dijeni dhe për paratë që familja Hoxhaj kishte në banesë. Pas hetimeve të kryera, verifikimit të tabulatit telefonik si dhe lokalizimit të vendodhjes së vajzës ndihmuar edhe nga valët celulare, policia e Korçës mundi të zbulojë se e zhdukura ndodhej në Fier. Blutë sinjalizuan policinë e këtij qarku e cila në bashkëpunim me policinë e Korçës arritën të gjejnë vajzën në shoqërinë e një djali 23 vjeç. Policia nuk bëri të ditur identitetin e tij, ndërsa mësohet se po hetohet lidhja dhe qëllimi që ai kishte me minorenen. Ende nuk është sqaruar vendndodhja e parave të zhdukura, pasi sipas burimeve të policisë, në momentin e ndalimit, vajza nuk kishte me vete asnjë lekë.
Precedenti i 15-vjeçares
Vetëm dy ditë më parë një 15-vjeçare nga qyteti i Korçës denoncoi në policinë e rrethit se ishte mashtruar e më pas shfrytëzuar si prostitutë në Tiranë. Ajo paditi tutoren e saj 19 vjeçe, e cila tashmë është në pranga. Siç tregoi në komisariat, e mitura ishte mashtruar nga vajza më e madhe, e cila e kishte nxitur për të njohur një djalë në kryeqytet. Por, sapo ka mbërritur në Tiranë, vajza është bërë pre e dhunës seksuale të burrave që paguanin deri në 10 mijë lekë të reja. Pas 1 muaji ajo arriti të shpëtonte e të kthehej në Korçë, ku dhe bëri denoncimin.