E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania presion botës, katër “bomba” që në start



Gjermania frikëson të gjithë rivalët për titullin kampion bote. Mbase nuk ishte skuadra që kryesonte listën e favoriteve para fillimit të kompeticionit, por në ndeshjen ndaj Australisë, djemtë e trajnerit Joakim Lëv treguan një futboll të bukur dhe të suksesshëm. Me një skuadër të përbërë me futbollistë të rinj, energjikë, të talentuar dhe me eksperiencë, ata treguan se janë të aftë të kalojnë çdo pengesë.
Australia, një nga skuadrat që nuk mund të nënvlerësohen përsa i përket nivelit, e kishte të pamundur të bënte rezistencë ndaj gjermanëve. Këta të fundit e nisën vrullshëm lojën, me aksione të shpejta dhe krijuan mjaft raste për shënim që në minutat e para. Edhe goli nuk vonoi, pasi në minutën e tetë, Lukas Podolski kaloi në avantazh skuadrën e tij. Pas një pasimi brenda zonës, sulmuesi gjerman gjuajti fort dhe nuk gaboi për të shënuar. Gjithsesi, Gjermania nuk e uli ritmin dhe vazhdoi të kërkojë me ngulm rrugën e rrjetës. Në të 27-ën, Miroslav Klose vazhdon të konfirmojë se është shumë i rëndësishëm për Kombëtaren, edhe pse te Bajerni nuk ka luajtur si titullar. Ai dyfishoi rezultatin e ndeshjes, rezultat që mjaftoi edhe për pjesën e parë të lojës. Një Gjermani e uritur, e freskët, e bukur dhe e saktë taktikisht dha një shembull futbolli, pas disa ndeshjesh të zbehta që ka dhuruar Kupa e Botës. Në minutën e 56-të, sikur të mos mjaftonte fakti që kundërshtari po dominonte, australianët mbetën edhe me një futbollist më pak. Tim Kahill shkaktoi një ndërhyrje të gabuar nga mbrapa dhe arbitri Marko Rodrigez u tregua shumë i ashpër me të, duke i nxjerrë direkt kartonin e kuq. Minutat e mbetura ishin thjesht formalitet për gjermanët, të cilët nuk kursyen as dy gola të tjerë. Në të 68-ën, talenti 20-vjeçar Tomas Myler e çoi rezultatin në 3-0, pas një gjuajte të saktë brenda zonës. Ky ishte edhe goli i tij i parë me fanellën e përfaqësueses. Ndërkohë, dy minuta më pas, Kakau shënoi edhe golin e katërt. Ky i fundit kishte vetëm një minutë që kishte hyrë në fushën e lojës, kur zëvendësoi Klosen.
Katër gola që në ndeshjen e parë, por mbi të gjitha, një provë e kaluar me sukses, nga një "ushtri" e ndërtuar me shumë delikatesë nga trajneri Jaokim Lëv. Gjermania tregoi se është e aftë për të sunduar majën e botës...

notat

Gjermania: Nojer 6.5, Lahm 7, Mertesaker 6.5, Fridrih 6.5, Badshtuber 6.5, Myler 7, Khedira 6.5, Ozil 7, Shvajnshtaiger 6.5,
Podolski 7.5, Klose 6.5.
Australia: Shvarcer 5, Uilkshajwr 5, Mur 5, Neill 5,
çiperfild 4.5, Kulina 5 Grela 5, Valeri 5.5, Kahill 5, Emerton 4.5, Garsia 6.

Gjermani-Australi 4-0

Golat: Podolski 8', Klose 27', Myler 68', Kakau 70'
Gjermania (4-2-3-1): Nojer, Lahm, Mertesaker, Fridrih, Badshtuber, Khedira, Shvainshtaiger, Myler, Ozil (Gomez 74'), Podolski (Marin 81'), Klose (Kakau 68').
Trajner: Joakim Lëv
Australia (4-2-3-1): Shvarcer, Uilkshajer, Neil, Mur, çiperfild, Valeri, Grela (Holman 46'), Emerton (Jedinak 74'), Kahill, Kulina, Garsia (Rukavitsia 64').
Trajner: Pim Verbek
Kartonë të verdhë: Ozil, Kakau / Mur, Neil, Valeri
Karton i kuq: Kahill 56'
Arbitër: Marko Rodrigez
Spektatorë: 62,660

GJERMANI STATISTIKA AUSTRALI
16 GJUAJTJE 10
10 GJUAJTJE Në PORTë 2
4 GOLA 0
10 FAULLE Të SHKAKTUAR 19
18 FAULLE Të PëSUAR 7
4 GODITJE KëNDI 7
17 GODITJE DëNIMI 9
0 PENALLTI 0
7 JASHTë LOJE 1
2 KARTONë Të VERDHë 3
0 KARTONë Të KUQ 1
36 KOHë FIKTIVE/LOJë 30
55% MBAJTJE E TOPIT (%) 45%

Ndeshjet sot

Holandë-Danimarkë 13:30
Japoni-Kamerun 16:00
Itali-Paraguai 20:30

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›