E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i nuk nxitohet për arrestimin e të korruptuarve

Zyrtarët e misionit evropian janë të kënaqur me mbarëvajtjen e hetimeve të deritanishme, gjë të cilën e konfirmojnë edhe publikisht. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal ka ripërsëritur se hetimet e gjithanshme, përfshirë edhe rastin Limaj, kërkojnë kohë.

“Ajo që mund të themi është se ky hetim po vazhdon me një ritëm të mirë dhe rezultatet do ta dëshmojnë këtë. Ne gjithmonë e kemi thënë se këto hetime të komplikuara kanë nevojë për kohë, por mund të them se ajo që kemi parë gjatë javëve të fundit tregon se ne kemi qenë të sinqertë në qasjen tonë dhe ky është vetëm fillimi i ngritjes së aktivitetit të EULEX-it për luftimin e korrupsionit”, ka thënë Limdal.

Ndonëse në urdhrin për bastisjet në ministrinë e drejtuar nga Fatmir Limaj të bëra javë më parë EULEX-i bazohet vetëm në dëshminë e një biznesmeni tashmë të vdekur, Mehmet Shkodra, zyrtarë të EULEX-it kanë mohuar mundësinë që ky person të jetë dëshmia dhe prova e vetme që ka EULEX-i në raport me rastin Limaj, ashtu siç janë akuzuar publikisht edhe nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

“Prokuroria ka disa burime të ndryshme të informimit për rastin Limaj së bashku me provat e mbledhura gjatë hetimeve. Të gjitha këto po i ndihmojnë prokurorisë rreth vlerësimit të dyshimeve për pastrim parash, krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, mashtrim në detyrë dhe marrje të ryshfetit. Ky është një hetim që po vazhdon dhe do të ishte e padrejtë që të paragjykohet rezultati i hetimeve, pasi një gjë e tillë do të dëmtonte edhe vetë hetimet”, ka thënë Limdal.

Dëshmia e të ndjerit Mehmet Shkodra, pronarit të kompanisë “Inter Evropa”, e cila është publikuar në urdhrin për bastisjen e disa institucioneve, jep dyshime për akuzën për kërkim të ryshfetit. Në këtë dëshmi i ndjeri ka thënë se dy të dyshuarit kryesorë në rastin e Ministrisë së Transportit dhe Postë - Telekomunikacionit, ministri Fatmir Limaj dhe shefi i prokurimit Nexhat Krasniqi, kanë kërkuar ryshfet nga fituesit e të paktën gjashtë tenderëve në Kosovë. Shkodra ka dhënë disa dëshmi në EULEX në maj të vitit 2009, ku ka thënë se është njohur personalisht me ministrin Limaj, nga i cili madje edhe kishte marrë premtimin për marrjen e një tenderi pa procedura tenderuese. Mirëpo, sipas dëshmisë del që ministri Limaj nëpërmjet shefit të prokurimit, Nexhat Krasniqi, i kishte kërkuar dëshmitarit Mehmet Shkodra pagesën e parave që kapin vlerën prej 10 deri në 13 për qind të shumës së përgjithshme të tenderit të premtuar. Shkodra nuk kishte pranuar që të paguajë paratë dhe si pasojë kompania e tij nuk kishte mundur të fitonte asnjë tender.

Dëshmia e Shkodrës nuk jep prova edhe për katër akuzat e tjera me të cilat ngarkohen Limaj e Krasniqi. Veç ryshfetit, ata dyshohen edhe për pastrim parash, krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës dhe mashtrim në detyrë.

Misioni i BE-së është duke hetuar për keqpërdorime në tenderët që kapin shifrën prej 80 milionë eurosh në rastin Limaj.

Përveç kësaj, EULEX-i aktualisht është duke verifikuar provat e mbledhura në rastin Limaj, edhe procedurat për njërin nga serverët e konfiskuar në këtë ministri, e që ka rezultuar që të ishte fshirë para se EULEX-i ta bastiste ministrinë dhe ta konfiskonte atë.

Prokurorët e EULEX-it në nivel të qarkut janë të përfshirë në 50 raste, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin. Prokuroria speciale gjithsej ka 190 raste, 38 nga të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin.

Misioni i BE-së ka bërë të ditur se arrestimet e paralajmëruara do të shtrihen edhe në veri të Kosovës, ku ka disa persona të cilët po hetohen për krim të organizuar. /kd/start/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›