E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputeti i PD: Ministrat që fshehin pasurinë

Deputeti i PD-së, Dashnor Sula, akuzoi dje në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ligjeve zyrtarë të lartë deri dhe ministra, që fshehin pasurinë dhe bëjnë një jetë luksoze.Në një seancë me pyetje ku ishte thirrur kryetari i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të zyrtarëve, Sula kërkoi hetime më të detajuara nga ky institucion. “Unë gjej rastin ta them që në Shqipëri ka me të vërtetë fshehje të pasurisë, kjo është evidente dhe nuk mund të fshihen si struci. Por, duke deklaruar pak nga ato që thuhen edhe në media kur një politikan në një vit deklaron një pasuri fikse dhe një ose 2 vite më vonë deklaron 1 milion apo 2 milionë euro, kjo është për të ardhur keq. Unë do të radhis edhe kategorinë e zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilët duke filluar nga drejtor, drejtues institucionesh apo drejtor drejtorish të ndryshme nëpër ministri apo institucione të larta, kryetarë komunash, kryetarë bashkie, prokurorë dhe gjyqtarë dhe së fundmi deputetë dhe ministra, për të cilët është mjaft e sigurt që pasurinë e tyre në forma të ndryshme e fshehin dhe i shmangen deklarimit të pasurisë. Si mund t’i shpëtojë ILDKP-së që fëmijë të zyrtarëve të lartë dhe politikanëve shkojnë dhe studiojnë në universitetet më prestigjioze të botës dhe më të shtrenjtat? Si mund t’i shpëtojë ILDKP-së që pushimet luksoze që politikanët i kryejnë në vendet më të shtrenjta të botës, që kanë ora dore dhe kostume shumë të shtrenjta, ku e gjejnë gjithë këtë pasuri?”, u shpreh Sula.
ILDKP akuzon Prokurorinë
Ndërsa, kreu i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive akuzoi Prokurorinë, e cila sipas tij ka pushuar çështjet për fshehje pasurie. Gjatë paraqitjes së raportit vjetor të punës së tij në Komisionin parlamentar të Ligjeve, Adriatik Llalla dha shifra dhe fakte që tregojnë se pushimi i çështjeve për zyrtarët e lartë është bërë i pabazuar nga ana e Prokurorisë. “Të gjitha rastet e dërguara prej nesh janë të bazuara në prova dhe gjykohen. Në vlerësimin tonë, të gjitha vendimet e marra nga organi i procedurës për pushimin e këtyre rasteve janë të pabazuara. E kemi ankimuar së pari rastin në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe më pas në gjykatë; çështje të tilla nëse futen në rrugën e gjykimit apo të ankimimit, zakonisht shkojnë në periudha shtatë, tetëmujore apo njëvjeçare” u shpreh Llalla. Kryetari i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë deklaroi dje para Komisionit parlamentar të Ligjeve se “zyrtarët japin të dhëna informale sa i përket deklarimit të pasurive të tyre”. Në raportin e paraqitur, ai pohoi evidentimin e rasteve të korrupsionit, ndërsa nuk kanë munguar rastet e denoncimeve dhe kallëzimeve.

18 kallëzime
penale ka depozituar ILDKP në organin e akuzës, 7 prej tyre janë pushuar, 7 i kanë kaluar gjykatës, ndërsa 4 të tjera janë ende në proces gjykimi

Pyetjet në Komisionin e Ligjeve

Alibeaj: Pas pak kohësh, në karrigen ku jeni ulur ju do të vijë dhe Prokurorja e Përgjithshme ose unë kështu mendoj, se do të vijë…
Rusmali: Në karrigen në Komision, jo në karrigen në detyrë, se mos bëjmë rokadë… se pas ca kohësh do lëvizin njerëzit, se kështu është kjo punë…
Alibeaj: …shoh raportin tuaj, ku thoni se keni dërguar për kallëzim penal 18 raste, nga të cilat 7 janë dërguar për gjykim, 4 vazhdojnë të jenë në gjykim dhe 7 janë pushuar. Kur kryeprokurorja do të vijë aty ku jeni ulur ju, do të thotë se kryeinspektori ia ka futur kot. Ne nuk e zgjidhim dot duke thënë se kush ka të drejtë. Ju keni thënë se për veprën penale të mosdeklarimit apo refuzimit të deklarimit të pasurisë, keni bërë 8 kallëzime, nga të cilat 3 kanë parë derën e gjykatës dhe 5 janë pushuar. Këto raste, a janë të njëjta, a kanë të njëjtën cilësi provash shkresore nga ana juaj? Pretendoni se ka pasur standard të dyfishtë të trajtimit të tyre?
Rusmali: Mos ka lidhje ndryshimi i qëndrimit të prokurorisë me subjektin e veprës penale?
Llalla: E përmenda dhe më parë, të gjitha rastet që ne dërgojmë në organin e hetimit janë produkt thuajse i njëjtë, dhe, nga hetimi rezulton se subjekti ose ka refuzuar të deklarojë, ose ka fshehur pasurinë në forma të ndryshme. Hetimi ynë ka qenë i plotë bazuar nga institucionet bankare dhe jo bankare dhe nga hetime të hollësishme. Të gjitha provat e dërguara prej nesh kanë qenë të bazuara në prova të plota dhe të gjitha vendimet e marra nga organi procedues janë të pabazuara.
Fatos Hoxha: Kolegët folën dhe për pasuri të fshehura në banka të huaja. Po shohim se nga viti në vit politikanë, zyrtarë, prokurorë, gjyqtarë rrisin pasuritë, por askujt nuk i hyn gjemb në këmbë. A keni ju ndonjë strategji se si duhet të kontrollohet kjo, sepse s’mund të vazhdohet kështu, me politikanë që nuk kanë bërë gjatë jetës së tyre asnjë punë, por vetëm kanë firmosur në borderotë shtetërore…
Rusmali: …epo janë martuar, zoti Hoxha dhe kanë shtuar pasurinë nga martesa…
Fatos Hoxha:..këta njerëz kanë vila në det, në mal dhe s’kanë bërë asgjë tjetër përveç buxhetorit. Keni ndonjë propozim konkret që të mos ia lemë përgjegjësinë asnjë institucioni, as prokurorisë, as gjykatave, sepse nëse do shohim dhe emrat që ju keni paditur, unë personalisht nuk kënaqem. Nëse ju do kërkoni ndihmën e Kuvendit, ne do t’ju ndihmojmë që ta pastrojmë këtë vend nga parazitët.
Llalla: E thashë se kërkohet amendimi i nenit të Kodit Penal. Ne konstatojmë raste kur zyrtarë të niveleve të ndryshme aty ku ka mundësi të abuzojnë me pushtetin, deklarojnë të ardhura në rrugë informale huadhënie-huamarrje. Pengesa ligjore që ne kemi, që të deklarojnë dhe personat e tjerë ku dyshohet se pasuria e zyrtarëve fshihet tek këta persona, na pengon që të bëjmë hetim më të plotë.

Rusmali uron dy ministrat

Mbledhja e djeshme e Komisionit parlamentar të Ligjeve pati dhe urimet e rastit për dy anëtarët e tij, Eduard Halimin dhe Aldo Bumçin, të cilët një ditë më parë ishin propozuar nga kryeministri Berisha për ministër Drejtësie dhe Kulture. “I urojmë suksese zotit Halimi dhe zotit Bumçi që do të vijë në mbledhje pas pak, kryetarët vijnë gjithnjë me pak vonesë”, u shpreh kryetari i këtij Komisioni, Ilir Rusmali. Pas mbledhjes, të gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve, deputetët demokratë, u ftuan për kafe nga dy deputetët që presin të marrin dekretin e Presidentit për të pasur portofolin ministror.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›