Deputeti i PE me Bregun, vlerëson progresin
• Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka marrë vlerësimet e europarlamentarit Alain Lamassoure për progresin e Shqipërisë në integrimin në Bashkimit Evropian dhe në NATO."Europarlamentari Lamassoure u shpreh i kënaqur me arritjet e deritanishme në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik të Shqipërisë, duke shprehur bindjen në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO për Shqipërinë gjatë Samitit të Bukureshtit, si dhe duke rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen e Francës në të dyja proceset", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Ministrisë së Integrimit. Ministrja Bregu theksoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit përbën udhërrëfyesin bazë të procesit të reformave në Shqipëri. Ratifikimi i shpejtë i saj konsiderohet si detyrë primare për qeverinë dhe të gjitha institucionet shqiptare, për ta afruar edhe më shumë e më shpejt vendin me BE-në. Njëkohësisht, ministrja shprehu besimin në mbështetjen franceze për ratifikimin e përshpejtuar të MSA-së në nivelin e Asamblesë Kombëtare. Bregu dhe Lamassoure ndanë të njëjtin mendim në lidhje me perspektivën e anëtarësimit të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke u ndalur në nevojën që kanë vendet e këtij rajoni për një perspektivë evropiane të prekshme që do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe paqes. Arritja e këtij objektivi do të përkthehet, nga ana tjetër, edhe në stabilitet e paqe të qëndrueshme në të gjithë territorin e Bashkimit Evropian. Lamassoure vlerësoi edhe rolin e Shqipërisë si faktor konstruktiv në rajon dhe sidomos në procesin e përcaktimit të statusit final të Kosovës, duke qëndruar në koherencë të plotë me atë francez dhe të unionit.