“Metropol”, një teatër për kryeqytetin
• Një teatër vetëm për Tiranën. Një projekt i mbështetur nga Bashkia e Tiranës, por që vihet në zbatim nga Kiço Londo, drejtori aktual i Arenës së Tiranës.Në një konferencë për shtyp, dje në ambientet e cirkut të Tiranës, Londo ka bërë me dije projektin e ri, një projekt i bërë publik edhe kohë më parë, gjatë emërimit të tij si drejtor i Arenës. Në të njëjtin kohë kur ka bërë publike kalendarin e Arenës së Tiranës, drejtori i saj, Londo ka bërë me dije edhe projektin që duket se po merr udhë, ndërtimin e një salle teatri. Do të quhet “Metropol” dhe do të jetë një teatër vetëm për kryeqytetin. Një mundësi e re kjo për artistët. “Eshtë një teatër që i ka munguar Tiranës dhe është një mundësi e re për të gjithë artistët”, është shprehur Londo gjatë publikimit të këtij projekti. Ende nuk është vendosur se ku do të ndërtohet një teatër i tillë, por funksionimi i tij do të nisë pikërisht në muajin shkurt të vitit të ardhshëm. “Nuk është se kemi piketuar se ku do të ngrihet, por aktualisht do të funksionojë në salla të ndryshme. Kemi menduar të shfrytëzojmë sallën e Akademisë së Arteve, sallën e amfiteatrit apo edhe atë të Teatrit të Kukullave. Dhe nuk na shqetëson çështja e saj, sepse një sallë e re do të ndërtohet së shpejti”, shprehet ai. Teatri i emëruar tashmë “Metropol”, do të nisë funksionimin e tij me shfaqjen e parë të titulluar “Harvej”. Është një vepër që do të ngjitet në skenë nga regjisori Hervin Çuli, i cili ka piketuar emra të njohur të artit për të qenë pjesë e këtij projekti. Mes emrave si Fadil Kujovska, Zhaku, etj., rikthehet në skenën e “Metropol” edhe aktori i njohur Bujar Lako, i cili i ka munguar për disa vite skenës së teatrit. Hera e fundit ku aktori i njohur ka interpretuar ka qenë viti 2005 në filmin “Syri magjik” i regjisorit Kujtim Çashku, i cili është vlerësuar edhe me mjaft çmime.