Komisioni Durrës-Kukës, kërkohet shtyrja e afatit
• Komisioni hetimor për rrugën Durrës-Kukës do të kërkojë shtyrjen e afatit për një muaj. Kërkesa për shtyrjen e punës së afatit u bë prezente dje gjatë mbledhjes së këtij komisioni, ku anëtarët e pozitës dhe të opozitësranë dakord për një gjë të tillë. Kreu i këtij komisioni, deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj hodhi këtë propozim për shkak se deri më tani ky komision nuk ka arritur asnjë prej objektivave të miratuar nga Kuvendi. Afati i këtij komisioni skadon me datën 8 janar. "Në këtë situatë ne duhet të kërkojmë shtyrjen e afatit të komisionit hetimor. Shpresoj të shtyhet deri nga mesi i janarit", theksoi Biberaj. Deputeti i PD-së, Ardian Kollozi kërkoi që t'i propozohet Kuvendit që afati i komisionit të shtyhet deri në muajin shkurt. Ai e argumentoi këtë me faktin se sesioni i ri parlamentar nis në javën e tretë të janarit, më 17 janar. Ky propozim u miratua nga ana e komisionit. Ndërsa deputetët e opozitës shprehën rezervat e tyre në lidhje me mosparaqitjen e procesverbalit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku u votua për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Nënkryetari i komisionit, socialisti Arben Isaraj tha, se "se nuk e kuptoj se pse nuk na është vënë në dispozicion materiali i kërkuar për mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kërkoj që të na vihet në dispozicion procesverbali i mbledhjes". Deputetët e maxhorancës shprehen kundër një kërkese të tillë, pasi sipas tyre, ai material nuk mund të përbëjë provë. "Nuk përbën provë ai, pasi për ne rëndësi ka vendimi i mbledhjes së qeverisë dhe jo procesverbali që është diçka që i përket qeverisë. Unë jam kundër kësaj kërkese", deklaroi deputeti i PD-së, Fatos Hoxha. Ndërsa socialistët u shprehën kundër kërkesave të maxhorancës për të thirrur si dëshmitarë në komision ish-kryeministrat, si Fatos Nano, Ilir Meta dhe Pandeli Majko. Sipas deputetëve të majtë kjo nuk lidhet me objektin e hetimit. Maxhoranca këmbënguli në thirrjen e këtyre dëshmitarëve, pasi skica e planit të rrugës është realizuar në kohën e qeverisë socialiste. Deputeti i PD-së, Eris Hoxha kërkoi informacion nga Ministria e Financave për taksën "Majko", por që u kontestua nga ana e opozitës.