E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët, PR kundër Berishës

• Shpërblimi me nga 5 mijë lekë për Vitin e Ri për pensionistët, i deklaruar në një nga mbledhjet e grupit parlamentar të PD-së nga Kryeministri Berisha, nuk ka gjetur mbështetje të plotë nga anëtarët e koalicionit.Adi ShkëmbiKryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, duke folur dje në mbledhjen e asamblesë së PR-së, është shprehur se është i pakuptueshëm qëndrimi i qeverisë për të shpenzuar 25 deri në 30 milionë dollarë për shpërblimet e pensionistëve, ndërkohë që për kompensimin financiar të ish-pronarëve akordohen vetëm 5 milionë dollarë në vit. "Një çështje tjetër e rëndësishme është kompensimi financiar. Të gjithë ne natyrisht kemi respektin më të madh për pensionistët, për prindërit tanë, por është e pakuptueshme që nëse do të jepen rreth 25-30 milionë USD për pensionistët që duhet të kenë angazhimin e shtetit, t'i lihet një vlerë kompensimit financiar të pronarëve vetëm 5 milionë USD. Kjo është një çështje që duhet të na bëjë të preokupohemi që të shikojmë se sa është realisht shteti i vendosur në marrëdhëniet me këtë grup shoqëror, por edhe në trajtimin financiar të të përndjekurve politikë, ku një pjesë e tyre humbën jetën nëpër burgje e internime dhe për fat të keq e humbën jetën përsëri pa pasur mundësi të kthehen te prona e tyre", u shpreh dje kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, njëherësh edhe ministër i Mbrojtjes në kabinetin qeveritar. Duke u ndalur në marrëdhëniet e koalicionit të djathtë, kreu i republikanëve u shpreh se kjo forcë politike duhet të bëhet promotore e bashkimit të të djathtës jo në interesa politike, por kombëtare. "PR të bëhet promotore e një bashkimi të së djathtës në qëllime dhe interesa politike jo vetëm të grupimit të djathtë, por edhe të përfaqësimit të saj politik dhe interesave tona kombëtare. E djathta duhet të dalë nga faza e plotësimit të interesave personale dhe të bashkohet në bazë të vlerave programore dhe politike që ajo përfaqëson", theksoi Mediu, duke shtuar se e djathta ka nevojë për një lëvizje të re për reformim të plotë. Megjithatë kreu i republikanëve bëri të ditur dje për herë të parë, se njerëz të caktuar në Partinë Demokratike janë më shumë të interesuar për një marrëveshje mes PD-së dhe PS-së, sesa për një bashkëpunim më të ngushtë mes demokratëve dhe aleatëve në koalicionin qeveritar. "Ata njerëz brenda Partisë Demokratike që mendojnë se marrëveshja me PS-në është më e rëndësishme se marrëdhëniet dhe kuptimet e përbashkëta të të gjithë të djathtës dhe përfaqësimin e saj politik edhe në qeverisje, më së pakti në gjykimin tim janë të gabuar në arsyetimin e tyre, për të mos thënë më tepër", deklaroi kreu i republikanëve.Garuli, Alibali e Deshati nënkryetarAsambleja e Partisë Republikane e dalë nga kongresi i pak javëve më parë ka zgjedhur dje tre nënkryetarët e partisë, ndërkohë që votimi për sekretarët është shtyrë për vitin e ardhshëm. Kështu në postin e nënkryetarit do të jetë Aleksandër Garuli, i cili mandatin e kaluar ka qenë sekretar i përgjithshëm, por me ndryshimet në statut ky post është shkrirë. Ndërkohë për një mandat tjetër postin e nënkryetarit do ta mbajë edhe Neritan Alibali, i cili ndonëse, sipas Godos, nuk kishte bërë aspak fushatë, gjatë kësaj periudhe ka arritur të marrë votat e anëtarëve të asamblesë. Ndërkohë vendin e tretë të nënkryetarit e ka marrë Alfred Deshati, deri pak kohë më parë sekretar organizativ i PR-së. Ndërkohë asambleja ka shtyrë për vitin e ardhshëm votimin për sekretarët, pasi katër kandidatët që nuk kanë fituar për nënkryetar, fillimisht nuk kanë pranuar të futen në garën për sekretar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›