E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetja, debate me Kryeministrin për ekstradimin e shqiptarit në Itali

Britani Cameron deklaron se do ta shikojë çështjen e emigrantit Edmond Arapi

Kryeministri britanik, David Cameron, do të shikojë personalisht të gjithë procedurën e ndjekur nga drejtësia italiane, e cila i kërkon Anglisë ekstradimin e një shqiptari të dënuar në mungesë për vrasje. çështja e ekstradimit të 29-vjeçarit shqiptar, Edmond Arapi, është diskutuar gjatë seancës së djeshme parlamentare me pyetje dhe përgjigje të Kryeministrit Cameron me deputetët. Karen Bradley, deputete e zonës në Stafforshire, ku jeton Arapi, e pyeti Kryeministrin Cameron nëse ai mund të ndërhynte në këtë proces ekstradimi. “A është Kryeministri në dijeni të rastit të një banori të zonës time elektorale, i cili kërkohet të ekstradohet në Itali, ku është dënuar në mungesë? A do ta shikojë Kryeministri këtë çështje me urgjencë për procedurat e ekstradimit përpara se zoti Arapi të shkëputet nga familja e tij për t’u çuar në burgun italian?”. Me këto fjalë deputetja Bradley i është drejtuar Kryeministrit Cameron. Ky i fundit tha se është i gatshëm ta shikojë këtë çështje, duke e biseduar me sekretaren e Brendshme të Shtetit, e cila po merret me rregulloren e dëbimeve. “Janë disa procedura ligjore, të cilat duhen ndjekur”, deklaroi zoti Cameron. “Megjithatë, unë do të kontaktoj sekretaren e Brendshme dhe më pas juve e nderuara deputete”, shtoi ai. Edmond Arapi akuzohet për vrasjen e Castillo Marcelos në tetor të vitit 2004. Ai është dënuar në vitin 2006 nga një gjykatë italiane me 16 vjet burg në mungesë. Emigranti shqiptar ka paraqitur në gjykatë një sërë provash, të cilat vërtetojnë se në kohën kur ka ndodhur krimi, ai ishte duke punuar në restorantin “Cafe Davide” në zonën Leek. Gjatë ditës së djeshme, të gjitha mediat britanike, përfshirë BBC-në, kanë publikuar historinë e Edmond Arapit, duke e cilësuar atë si një gabim të drejtësisë italiane, që nuk duhet legjitimuar nga drejtësia britanike. Edmond Arapi u arrestua në qershor të vitit të kaluar në “Gatwick Airport on” (Aeroporti i Londrës), teksa kthehej nga një muaj pushimi në vendlindjen e tij në Shqipëri, ku ishte së bashku me gruan e tij, Georgina. “është me të vërtetë një situatë tepër e vështirë si për mua ashtu dhe për familjen time. Jam dënuar në një vend që e njoh shumë pak dhe për diçka, të cilën nuk e kam bërë. Kam një vit që nuk ndihmoj dot familjen time dhe për më tepër në një situatë kur bashkëshortja ime sapo ka lindur një djalë. I jam lutur autoriteteve britanike dhe atyre italiane që t’i japin fund këtij tmerri dhe të më lejojnë të jetoj në paqe”, ishin fjalët e shqiptarit, i cili siç pohon dhe vetë po kalon një periudhë tmerri për diçka, të cilën nuk e ka kryer.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›