E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmojmë apelin e komisionerit Fule për zgjidhjen e krizës

Bushati

Pozita dhe opozita i bëjnë thirrje njëra-tjetrës për zgjidhje të krizës. Ditë pas dite, të dyja palët informojnë opinionin për paketa dhe drafte që refuzohen edhe pse përmbajtja e tyre nuk bëhet e njohur. Një ditë pasi Kryeministri apeloi ndaj opozitës për miratim të draftit të tij, kjo e fundit ka bërë pikërisht të njëjtën gjë; i ka kërkuar Berishës përmes deputetit Ditmir Bushati që “të qetësohet dhe me maturi të pranojë zgjidhjen që ka në tavolinë”. Duke zbuluar kështu se në negociata qarkullojnë dy variant-propozime, Bushati ka bërë të njohur edhe zgjatjen e afatit ultimativ nga ana e opozitës, i cili sipas tij shkon deri në kohën e rishqyrtimit të Rezolutës së Parlamentit Europian për Shqipërinë. “Ne e çmojmë apelin e djeshëm të Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, për zgjidhjen e krizës politike përpara se propozimi i Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë të shqyrtohet nga Parlamenti Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian”, u shpreh Bushati. E konsiderojmë shtyrjen e miratimit të Rezolutës së Parlamentit Europian për ecurinë e progresit të Shqipërisë, tha ai, si një shans të dytë për reflektim që po i jepet Kryeministrit. “Shpresojmë që ai të dijë ta shfrytëzojë këtë shans duke bërë hapa konkretë drejt kompromisit që garanton transparencën kushtetuese të zgjedhjeve të 28 qershorit”, nënvizoi Bushati.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›