E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi Inter-Milan shtyn Gërdecin dhe Dajtin

Tetëdhjetë avokatë në Itali për të parë ndeshje futbolli, shumica mbrojtës në superproceset

Avokatët janë bërë objekt i shtyrjeve të dy gjyqeve të rëndësishme që ishin planifikuar të zhvilloheshin dje në Tiranë, pasi janë nisur në drejtim të qytetit të Milanos, Itali, ku të dielën në darkë do të luhet superndeshja e futbollit Inter-Milan. Në procesin gjyqësor ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit mungonin plot pesë avokatë, të cilët nuk kishin dërguar asnjë arsye për mosprezencën në seancë. Nga burimet e gjykatës, por edhe të prokurorisë, deklarojnë se avokatët që kanë munguar janë nisur në Itali, ku të dielën në darkë do të shohin superndeshjen Inter-Milan. Ndërkohë, disa anëtarë të Dhomës Kombëtare të Avokatisë kanë deklaruar për gazetën se rreth 80 avokatë kanë marrë bileta dhe do të ndjekin ndeshjen “live” në stadiumin e Milanos, “San Siro”. Sipas të dhënave nga gjykata, si pasojë e këtij organizimi privat, është shtyrë dje edhe procesi gjyqësor me të pandehur Dritan Dajtin, Erges Xhoxhin dhe Marenglen Muçajn, të akuzuar për masakrën e 7 gushtit 2009 në Durrës, ku u vranë katër oficerë të policisë gjatë operacionit për kapjen e të shumëkërkuarit Dajti. Njëri prej avokatëve nuk ka qenë prezent, duke sjellë dështimin e seancës. Gjithashtu shtyhet edhe seanca e ditës së djeshme e çështjes “Gërdeci”. Shkak për këtë shtyrje është bërë mungesa e disa prej avokatëve mbrojtës. Kryetari i trupit gjykues, Ridvan Hodo, gjatë verifikimit të palëve në proces vuri re se një pjesë e të pandehurve dhe avokatëve të tyre mungonin pa ndonjë arsye. Duke parë këtë situatë, organi akuzës doli në konkluzionin se seanca është e pamundur të zhvillohej dhe i kërkoi gjykatës shtyrjen për një ditë tjetër. Gjykata e pranoi kërkesën e organit të akuzës dhe e shtyu seancën për në datën 29 janar, ora 10.00. Në seancën e djeshme, mungonin avokatët Ibrahim Lahi, Roland Samarxhi, Mirash Martini dhe disa avokatë të tjerë. Gjithashtu mungonin edhe disa prej ish-ushtarakëve, si ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, dhe gjeneralët Agim Lala, Shpëtim Spahiu dhe Zija Bahja. Ndërkohë që avokati Maksim Haxhia, që mbron të pandehurin Mihal Delijorgji e Juliana Margariti, njëkohësisht edhe kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i paraqiti një kërkesë gjykatës që seancat e kësaj çështje të bëhen një herë në javë, pasi avokatët kanë impenjime edhe në procese të tjera. Kryetari i Kolegjit Penal, Ridvan Hado, e pranoi kërkesën e avokatit Haxhia, pasi nga avokatët u ra dakord që të mos ketë më mungesa në seancat e ardhshme gjyqësore. Në seancën e radhës pritet të ketë dëshmi dhe fakte të reja, duke parë edhe zhvillimet që kanë ndodhur ditët e fundit me disa nga të pandehurit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›