E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngjela: Grupi Blushi nuk bashkohet me kufomën politike

“I obsedon figura e Saliut, u heq perspektivën, i varros përfundimisht në politikë”
Futja në Parlament e grupit të pesë deputetëve socialistë të kryesuar nga Ben Blushi i çon ata drejt afrimit me Berishën dhe varrosjes së tyre përfundimtare në politikë. Ky është konstatimi i avokatit Spartak Ngjela, i cili në një intervistë për “Shqip” thotë se kjo është arsyeja se pse ata nuk kanë hyrë deri më tani. Ngjela thotë se zgjidhja e situatës është largimi i qeverisë “Berisha” dhe rivendosja e demokracisë.
Zoti Ngjela, në momentin kur antagonizmi politik në vend ka shënuar një pikë kulmore, ju dhe disa politikanë opozitarë, por të djathtë keni preferuar të heshtni. Pse po ndodh kjo heshtje?
Nuk mendoj se ka një heshtje. çështja është që lidershipi opozitar vendosi që t’i shtynte protestat për në muajin janar, kështu që ajo që ka qenë e lidhur me protestat, nuk mund të vijonte. Për sa u përket të tjerave, ato kanë qenë gjithmonë njëlloj dhe unë kam qenë prezent në shtyp dhe në të gjithë spektrin mediatik shqiptar, me të njëjtën gjuhë dhe me të njëjtat argumente. Më duket se keni një analizë disi jashtë konkretes. Në fakt, unë kam qenë dhe mbetem përkrahës i palëkundur i bojkotit dhe protestave, deri në arritjen e qëllimit. Protesta do të thotë motiv, kërkesë dhe protestat nuk reshtin derisa arrihet qëllimi apo objektivi që i ka vënë vetes. Qëllimi i protestave është vendosja e demokracisë në Shqipëri, sigurisht një motiv madhor ky. Derisa të jetë ky motiv, mua do të më keni gjithmonë prezent, dhe në radhë të parë.
Në fundvitin e kaluar kur opozita e kryesuar nga forca kryesore e së majtës ndërmori protesta dhe një miting masiv, ju ishit ndër politikanët opozitarë më të artikuluar. Pse kjo tërheqje? Mos ndryshoi diçka në marrëdhënien tuaj me kryetarin e opozitës, zotin Rama?
Nuk e di pse bëhet kjo pyetje nga Ju, sepse ma kanë bërë edhe shumë të tjerë që janë pranë Saliut... dhe po më vjen për të qeshur. Unë me Ramën nuk kam marrëdhënie punësimi, kam një marrëveshje për shtetin, demokracinë dhe lirinë shqiptare, dhe po të ishte prishur kjo marrëveshje do ta kishit parë ashtu sikundër që e patë kur u arrit. Asgjë nuk ka ndryshuar: përkundrazi Edi Rama dhe socialistët sot janë më të qartë se në muajin tetor, nëntor apo dhjetor, gjithmonë për këtë: për të bërë një luftë frontale kundër tiranisë në Shqipëri. Kjo është arsyeja e gjërave, nëse ka ndryshuar, më thoni ju ndonjë gjë, sepse unë jam i sigurt për këtë që të shpreh.
A do të riktheheni në pasionin tuaj politik për protesta dhe reagim të ashpër populist, siç pohonit në ditët e fundvitit 2009?
Unë më duket se ta shpreha lart shumë qartë. Gjithmonë kam qenë i angazhuar kundër tiranisë në Shqipëri, në një diapazon kohor që i ka kaluar tri dekada. Dhe do të vijoj deri në fund. Dhe sot jam optimist: do ta shkallmojmë tiraninë shqiptare, keni për ta parë, sepse e kemi kapur. E kemi kapur hajdutin “me prasë në duar” dhe do ta marrim frymën një çikë e nga një çikë, ose pak nga pak, ose “step by step”, mendojeni si të doni. Sepse nuk ka ku shkon: duhet të hapë kutitë. I sheh si tërbohen idalgot kur u kujtojmë kutitë. Ashtu do të jenë gjithmonë, sepse ne arritëm në tre muaj që kutinë e votimit ta plazmonim si Hijen e Bankos. Kutitë tani janë Hija e Bankos për Saliun, se këta të tjerët që cicërijnë si harabela, kthehen shpejt, mos para e mendoni se janë të shqetësuar. Saliu po, dhe kështu do jetë. Njëzet nëntori do t’u duket një lodër...sepse populli ka grumbulluar urrejtje dhe neveri për këtë regjim barbar, kurse opozita e ka kapur me fakte. Ne kemi në dorë provën dhe fuqinë e popullit, e pra pse të mos jemi optimistë se do ta rrëzojmë tiraninë në Shqipëri.
Ditët e fundit janë shpeshtuar takimet dhe ecejaket e ndërkombëtarëve. Besoni se kjo prezencë dhe ky angazhim do ta sjellë kompromisin mes dy palëve?
Ndërkombëtarët e kuptuan mirë atë që po ndodh në Shqipëri. Më mirë vonë se kurrë: ata konceptuan realisht krizën politike dhe kërkuan zgjidhjen e saj. Pikërisht këtu nis të veprojë optika demokratike: kujt duhet t’i kërkohet zgjidhja, opozitës? Kjo është absurde për demokracinë, domethënë për Perëndimin, mos shihni Saliun që e ka marrë edukimin antipozitar nga Enver Hoxha dhe Partia e Punës. E pra, tani që e panë që opozita është shumë më e fortë se mazhoranca (një mazhorancë e stisur me vjedhje votash kjo), nuk kishte se si të vepronin ndryshe. Kërkuan dialog dhe zgjidhje. Por këtu del në pah kërkesa jonë: zgjedhjet. Si mendoni ju ka perëndimor që të dalë kundër zgjedhjeve të lira? Ja për këtë është i mërzitur Saliu. Por le ta zgjidhë çështjen: ose me popullin ose kundër tij. Që të jetë me popullin duhet të jetë për zgjedhjet e lira, por këtë duhet ta provojë. Por ai po provon përditë të kundërtën. Dhe kjo e ka mërzitur edhe popullin edhe ndërkombëtarët. Ne që nisëm lëvizjen e kutive e dinim këtë, por është mirë që këta ta dinë të gjithë. Domethënë që, kriza zgjidhet me rrëzimin e kësaj qeverie të paligjshme, se po të ishte e ligjshme, gjënë e parë që do kishte bërë, do të kishte hapur kutitë... që në muajin shtator... Por a do të ketë kompromis për demokracinë. Nuk di çfarë të them, e di nga historia se tiranisë, demokracia i ka veshur gjithmonë këmishën e forcës...
Nëse arrihet ky kompromis, cili sipas jush del i fituar prej tij, Berisha apo Rama?
Zotërinj, kompromis do të thotë gjithmonë një dialog paraprak. Ja pra, cilat do të jenë temat e këtij dialogu? Patjetër kutitë. Opozita është e fortë në dialog, sepse është me demokracinë. Këtë e dinë të gjithë: deri tani Saliu, duke e ditur këtë, që demokracia e ka kapur, ka dashur që të çajë opozitën, sidomos deputetët. Ka dështuar, sepse nuk ka mundësi të arrihet kjo gjë ngaqë opozita është shumë e madhe në përkrahjen popullore. Këtë e dinë të gjithë. Pas 20 nëntorit, nuk ka mundësi të çahet opozita, dhe Saliut prandaj po i vjen festja vërdallë. Ai kërkonte të krijonte një Parlament kukull, sepse urren demokracinë dhe kulturën perëndimore të zhvillimit, personalitetit dhe lirisë individuale. Por s’e bëri dot.
Ai i ka rreth pesë deputetë të PS-së..
Po atij nuk i duhen pesë, i duhen pesëmbëdhjetë. Dhe ajo që është e qartë për t’u thënë është pyetja: po ata të pestë pse s’kanë hyrë? Sepse i obsedon figura e Saliut, iu heq perspektivën, i varros përfundimisht në politikë. Pse kush është ai që s’e di se me kufomën nuk mund të bashkohesh në politikë, sepse diskreditohesh dhe ikën bashkë me të. E pra, për faktin se dalja nga një vendim partiak, të nxjerr edhe nga partia, pyetja është kjo: pasi të kenë hyrë, çfarë do të bëjnë, do bashkohen me Saliun. Prandaj s’ka mundësi politike të ndodhë kjo gjë. është kthyer një figurë e urryer sot Saliu në Shqipëri, zor se mund t’i bashkohen më shumë nga skllevërit që ka dhe që po mendojnë ndërkaq si të dalin nga kjo mesele... Por të vështirë do ta kenë...
Cilat janë disa prej kushteve që ju sugjeroni ose do të dëshironit t'ia shtonit axhendës së opozitës përballë zotit Berisha?
Nuk ka nevojë për të tjera, mjafton vetëm një: kutitë. Kjo e zgjidh çështjen, madje hapja e kutive mund t’ju them se e rrëzon përfundimisht otomanizmin në Shqipëri. Që nga viti 1924, Shqipëria ka notuar në otomanizëm, kanë drejtuar otomanët. Otomani më klasik ka qenë Enver Hoxha, pa dyshim, por Sali Berisha është Otomani i fundit, prandaj, rrëzimi i tij, me hapjen e kutive, vendosja e zgjedhjeve të lira dhe hapja e perspektivës për ngritjen institucionale perëndimore të Shqipërisë, zgjidhja e çështjes së rëndë të drejtësisë dhe zhvillimit në përgjithësi, pa dyshim që do të sjellë rrëzimin përfundimtar të otomanizmit në Shqipëri...pas kaq shekujsh, më shumë se pesë shekuj otomanizëm... dhe do shpëtojmë përfundimisht.
Një pjesë e mirë e vëzhguesve dhe interpretëve të zhvillimeve politike në vend shprehen me rezervë për forcën dhe kapacitetet e opozitës së majtë, përballë pretendimit të saj për rrëzim të Kryeministrit Berisha dhe për marrje të qeverisjes. Ju mendoni ndryshe?
Përkundrazi, opozita është shumë e fortë. Pas pak me siguri që do të shihni të bashkuar me opozitën edhe një masë të madhe perëndimorësh që janë të stepur, që rrinë jashtë shtetit se nuk i durojnë dot otomanët dhe barbarët që drejtojnë shoqërinë; janë nëpër katedra shkencore dhe e duan shumë vendin e tyre, por nuk i lënë barbarët që të vijnë. Të gjithë këta, pa dyshim që do t’i shihni me opozitën shumë shpejt. Shqipëria do të ndryshojë me një hap të madh perëndimor, nëse kjo opozitë do të detyrojë vjedhësit të dorëzojnë sendin e vjedhur. Sendi i vjedhur është guri magjik i zhvillimit tonë dhe ne do t’i arrijmë ta marrim e t’ia japim shqiptarëve: hapja e kutive...domethënë garantizmi i votës së lirë në Shqipëri.
Cili do të jetë pozicionimi juaj i ditëve të afërta, përkrah Edi Ramës apo do të tentoni të shfaqeni në mënyrë tjetër nga ajo e fundvitit 2009?
Nuk e kuptoj pse bëhet kjo pyetje, unë kam vetëm një devizë, bashkohem me të gjithë ata që do të rrëzojnë tiraninë apo otomanizmin në Shqipëri, dhe me z. Rama kam një marrëveshje, e cila ndërkohë është më e fortë dhe më e spikatur nga ajo e nëntorit apo dhjetorit; sepse opozita është shumë më e fortë dhe shumë më e qartë dhe gjithashtu: shumë më e motivuar: sepse është afër triumfit.
Ditët e fundit në vend është hapur debati për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Jeni një ndër politikanët e së djathtës opozitare që ende nuk jeni shprehur për këtë proces. Pse kjo heshtje?
Jo se kam qenë në heshtje, por nuk më është afruar media. E kanë marrë shumë të lehtë këtë çështje, edhe ata që e kundërshtojnë, edhe ata që përkrahin. Por gabohen. Kjo është një çështje juridike. Shtetësia dhe kombësia, janë koncepte juridike. Ai fetar jo, mund të quhet quasijuridik. Në këtë çështje pështjellimin e ka sjellë koncepti i vetëdeklarimit të kombësisë nga individi. Kjo është më se normale, madje më e drejta, por këtu e pashë që me injorancë, e kanë keqkuptuar të dyja palët. Por kur flitet për vetëdeklarim të kombësisë, mos kuptoni voluntarizëm. Përkundrazi, vetëdeklarim do të thotë se barrën e provës për të provuar kombësinë tënde, nuk e ka shteti, si në kohën e komunizmit, por e ka vetë individi. Kështu, në momentin që t’i bën deklaratën për një kombësi të pretenduar, duhet të sjellësh domosdoshmërisht argumentin juridik të ekzistencës së saj: një regjistër, një dokument të vjetër familjar dhe çdo fakt që ta provon këtë. Nëpër biseda dëgjova që, disa që vijnë nga pakicat etnike në Shqipëri që të gëzuar thoshin se “mund të ketë shtesa, por kjo s’ka rëndësi”. Më vjen për të qeshur, nuk mund të ketë. Duhet prova, dhe as mos t’ju shkojë në mend se një dokument i marrë nga fqinjët mund të jetë provë juridike në Shqipëri. Ja kjo është: prova. Dhe a e dini se, po të mos jetë me provën, nuk gjen zbatim vetë ligji; dhe a mund ta kuptoni se prova duhet të jepet përpara një organi të pavarur në rangun e një gjykate, edhe nëse ai quhet komision...dhe a e dini se vetë fëmija mund të hedhë në gjyq prindin për kombësinë, në gjykatë. Kaq të lehtë e paskan marrë këta të ngratë këtë çështje, pse çfarë e dinë Shqipërinë këta një terra ingnota (tokë e askujt)? Nuk keni pse shqetësoheni, shumë mirë që është bërë me vetëdeklarim dhe barrën e provës e ka individi, se ky shtet i shitur i tëri, nuk dihet se çfarë falsifikimesh mund të kishte bërë për para dhe ligësi njëherësh.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›