Superdëshmi, fabrika e Gërdecit e paracaktuar
Prokuroria siguron rrëfimin e rojës: Fillova punë para se qeveria t’i jepte lejen “Albademil” për demontim
Dëshmitari Beqir Prini: Që në shkurt të vitit 2007 kam parë Minxollin e Delijorgjin
Disa muaj para se qeveria të miratonte projektvendimin për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi, fabrika e Gërdecit ishte piketuar si vendi ku do të realizohej demontimi i këtyre municioneve. Prokuroria, krahas letërkëmbimeve midis Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Drejtësisë dhe Parlamentit, ka siguruar edhe dëshmitarë që kanë punuar në fabrikën e Gërdecit, që faktojnë se demontimi ka qenë i paracaktuar, megjithëse ende nuk ishte marrë një vendim dhe nuk ishte zhvilluar një tender për përcaktimin e firmës fituese. Beqir Prini, ish-roja e fabrikës së demontimit në Gërdec, ka pohuar para oficerëve të policisë gjyqësore se është i gatshëm të dëshmojë edhe në gjykatë, se ka punuar në këtë fabrikë në fillim të muajit shkurt 2007, në një kohë që fabrika e demontimit ende nuk ishte miratuar nga strukturat përkatëse. Prokuroria deklaron se dëshmitari Prini ka filluar punë një muaj para se qeveria të miratonte projektvendimin për trajtimin e armëve të dala nga përdorimi dhe pas katër muajve që Ministria e Mbrojtjes të përcaktonte kompaninë “Sac-Albademil” për demontimin e municioneve me gëzhojë tunxhi.
Dëshmia
Dëshmia e Prinit vazhdon se gjatë muajit shkurt të vitit 2007 ka parë në ish-repartin e tankeve në Gërdec edhe Mihal Delijorgjin dhe Dritan Minxollin, të cilët po piketonin ndërtimin e barakave ku do të zhvillohej demontimi, megjithëse në atë kohë s’kishte asnjë akt ligjor dhe nënligjor për përzgjedhjen e Gërdecit. Dëshmitari Beqir Prini renditet i 151 në listën e personave që do të pyeten nga prokuroria për zbardhjen e tragjedisë. Megjithatë, prokuroria deklaron se përzgjedhja e dëshmitarëve nuk do të bëhet sipas rendit të numrave, por sipas rolit të dëshmitarëve për të zbardhur tragjedinë e 15 marsit 2008.
Prokuroria deklaron se të pandehurit, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, kanë përzgjedhur kompaninë “Sac-Albademil”, e cila ka qenë e paracaktuar dhe është përdorur si fasadë për institucionet e tjera, me qëllim krijimin e perceptimit të rremë se do të realizohej një proces transparent, ligjor dhe që do të garantonte çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve.
Hetimi
Akuza deklaron se përjashtimi i ndërmarrjeve me profil ushtarak si Poliçan, Gramsh dhe Mjekës-Elbasan, është arsyetuar me motivin se këto ndërmarrje mund të trajtojnë municione të kalibrave të mëdhenj, por nuk trajtojnë municione të kalibrave të vegjël, ndërkohë që hetimet kanë provuar se këto ndërmarrje me profil ushtarak janë diskriminuar. Akuza shton se, para se projektvendimi të miratohej në qeveri, në “terren” kishte filluar të piketoheshin të gjitha bazat për demontimin, duke ndarë edhe fitimet. Në datë 27 shkurt 2006, i pandehuri Ylli Pinari ka rënë në kontakt me Patrik Henri, përfaqësues i SAC. Ky i fundit ka shfaqur interes për blerjen e municioneve dhe pas këtyre takimeve ka filluar të gjitha “pazaret” se ku do të demontoheshin dhe si do të merrnin municionet nga repartet ushtarake.
#