E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi degjeneron në sherr, grushta në fund të takimit

TIRANE- Ka degjeneruar në sherr dhe grushta derbi mes Tiranës e Dinamos, që në përfundim të 90 minutave nxorri fituese skuadrën e Shkëlqim Muçës me rezultatin 2-1. Pas golit të dytë të Dinamos, situata në fushë është acaruar në maksimum. Një goditje dënimi e dhënë për Tiranën solli acarimin e gjakrave mes Devi Mukës e Elis Bakajt. Dy lojtarët u goditën mes tyre dhe në fushë nisi një sherr i vërtetë, ku nuk munguan as tifozët. Në fund, drejtuesit e Tiranës hodhën akuza të forta ndaj Federatës, që e quajtën të korruptuar, si edhe ndaj arbitrave, duke thënë se me këtë ndeshje futbolli mori fund. Sa i përket ndeshjes, ajo nisi me një atmosferë entuziastë në stadium, ku ishin 7 mijë tifozë. Pas vetëm 7 minutash lojë, arbitri nxorri me karton të kuq Bicin, për një ndërhyrje si lojtar i fundit ndaj Bakajt. Megjithatë, Tirana dominoi dhe në fundin e pjesës së parë gjyqtari dha një 11 metërsh pasi Kotorri rrëzoi në zonë Muzakën. Nga pika e bardhë vetë Muzaka arriti të realizonte duke i çuar skuadrat me këtë rezultat në dhomat e zhveshjes. Minuta e 67-të e takimit solli kartonin e dytë të kuq për Tiranën, këtë herë për portierin Blendi Nallbani, që i hodhi topit arbitrit anësor në shenjë proteste. Dinamo barazoi menjëherë me Malakarnen dhe tensioni u rrit. Në minutat e fundit blutë realizuan edhe golin e dytë me anë të Elis Bakajt, që shkon në kuotën e 11 golave këtë sezon. Pas kësaj ndeshje, Dinamo ka 16 pikë më shumë nga Tirana dhe 15 nga Besa e vendit të dytë.(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›