E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi, hakmerret Junajtid, por Sitin e ndëshkon arbitri

ANGLI- Mançester Junajtid mundi të hakmerrej ndaj kushërinjve të Mançester Sitit, duke fituar 3-2 në përballjen e Kupës së Mbretëreshës. Në “Etihad Stadium”,“Djajtë e Kuq” kanë lënë pas disfatën 6-1 të muajit tetor, duke triumfuar ndaj skuadrës së Mançinit, ndonëse në minutat e fundit sfida ishte dramatike.

Runi realizoi pas 10 minutash lojë, duke kaluar Junajtid në avantazh, ndërsa 2 minuta më pas arbitri Kris Foi u bë protagonist, duke dhënë një karton të kuq të ekzagjeruar për Vinsent Kompani. Uellbek me një gjysmë kthesë dhe sërish Runi, pas një penalltie, e çuan takimin 3-0 në fund të pjesës së parë.

Edhe pse me 10 vetë, Siti arriti të rihapte ndeshjen, duke realizuar dy herë me Kolarov e Aguero. Minutat e fundit u bënë vërtet dramatike, por arbitri i mohoi edhe një penallti skuadrës së Mançinit. Derbi i Mançesterit shënoi rikthimin në fushë të legjendës Pol Skols, që e la futbollin në fund të sezonit të shkuar. Ai do të luajë deri në fund të sezonit për “Djajtë”.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›