E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sedorf e Pirlo: I mposhtim për titullin! Por Leonardo bën gati skemën 4-2-4

SHKRUAN: Jeton Selimi 01-04-2011 11:31

Italia po zien për derbin, që mund të vendosë fatet e titullit kampion. Në Gadishullin Apenin e gjithë vëmendja sportive është zhvendosur në “San Siro”, aty ku në orën 20:45 të ditës së nesërme do të zbresin në fushë dy ekipet që kryesojnë renditjen e Serie A, Milani dhe Interi, për t’i dhënë jetë ndoshta një prej betejave që do të mbetet në histori, nëse pas kësaj njëra prej skuadrave do të fitonte titullin kampion. Aktualisht, kuqezinjtë janë të parët në renditje me 62 pikë, ndërsa zikaltërit janë në kuotën e 60 pikëve. Natyrisht që nuk mund të lëmë jashtë gare Napolin, me 59 pikët e tij, por nesër është më shumë një çështje e brendshme e Milanos.

Kuqezinjtë po përgatiten shumë për këtë ndeshje dhe Andrea Pirlo flet për emocionet e pragsfidës. “Derbi është gjithnjë një ndeshje e veçantë. Mund të vendosë titullin, ndaj ka një vlerë akoma më të madhe. Ne e dimë se është një sfidë që do të përcaktojë shumë, por duam të fitojmë, pavarësisht se jemi ne në krye të klasifikimit”. Ndërsa Sedorf mendon se u takon kuqezinjve që “të tregojmë veten për t’i bindur të gjithë se jemi në gjendje për të fituar titullin”. Më pas, holandezi analizon derbin. “Kemi punuar shumë mirë deri më sot. Çdo ndeshje ka historinë e saj, e shkuara është e shkuar. Jemi vetëm pak orë përpara derbit, besoj se do të jetë një ndeshje e bukur për të gjithë dhe për futbollin italian”.

Në kampin tjetër, Leonardo ka përse të buzëqeshë. Kristian Kivu është mirë dhe sot mund të stërvitet me grupin. Një alternativë për të shtunën, në qendër të mbrojtjes në çift me Ranokian. Trajneri brazilian ka provuar zgjidhje taktike. E para me trekuartistin dhe e dyta me tre sulmues. Një rrezik që ia vlen të merret përsipër: në mes është një çmim shumë i madh. Moduli me Shnajderin, si trekuartist parashikon tre mesfushorë: Stankoviç, Tiago Motën dhe Kambiason. Në rolin e pykave, Eto’o dhe Pacini. Në mbrojtje Maikon e Zaneti anësorë e në qendër Ranokia e Kivu. Një formacion ku të gjithë mekanizmat janë të vajisur. Por, gjatë orëve të fundit, në kokën e trajnerit, po merr jetë një ide mahnitëse: të zbresë në fushë një Inter tërësisht sulmues me Eto’o, Pacinin e Pandev përpara Shnajderit, që do jetë pak metra më i tërhequr. I famshmi “4-2-4 fantazist”, term i shpikur nga Adriano Galiani dhe i adoptuar nga braziliani kur drejtonte Milanin. Në këtë rast, në mesfushë do të luftojnë 3 për dy fanella dhe të favorizuarit duket të jenë Stankoviç e Tiago Mota.

Milan-Inter gjykohet nga Rizzoli

Arbitri nga Bolonja, Nikola Ricoli do ta ketë detyrën më të vështirë në superderbin të kësaj fundjave, ku Milani pret Interin në “San Siro”, të shtunën në orën 20:45. Ricoli në këtë supersfidë do të jetë i ndihmuar nga asistentët e tij, Paolo Kalkanjo dhe Sandro Rosomando, me gjyqtar të katërt Paolo Taljavento. Nikola Ricoli gjykoi takimin Inter-Palermo, sfidë të cilën Interi e fitoi me rezultat 3-2, pas disavantazhit prej 0-2.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›