E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysi me probleme

Skuadra e Hysit po përballet me telashe të brendshme. Disa prej futbollistëve i kanë bojkotuar stërvitjet shkaku i moskryerjes së të gjitha obligimeve dhe mosrespektimit të kontratës ndaj tyre. Madje, është vënë në dyshim shkuarja në përgatitje në Ohër. Mirëpo, kryeshefi ekzekutiv i klubit, Afrim Macula e mohon këtë. Nga Moral Pozhegu më 11 shkurt 2011 në ora 12:18

Njëra prej skuadrave më stabile në vitet e fundit në aspektin ekonomik, Hysi, është prekur nga ‘epidemia’ tashmë e njohur në futbollin kosovar, e quajtur krizë financiare.

Burime brenda klubit nga Merdarja bëjnë të ditur se disa prej futbollistëve i kanë bojkotuar përgatitjet për shkak se klubi nuk i ka kryer të gjitha obligimet financiare ndaj tyre, duke mos e respektuar kontratën me këtë rast.

Më saktësisht, lojtarët insistojnë se klubi ua ka borxh një rrogë, por edhe paratë e kontratës. Madje, gjithnjë sipas këtij burimi, nëse vazhdon kjo gjendje në klubin bardh e zi, atëherë Hysi rrezikon të mos udhëtojë drejt Ohrit të shtunën, ku është paraparë ta zhvillojë një pjesë të fazës përgatitore para fillimit të sezonit pranveror.

“Një pjesë e mirë e futbollistëve nuk po stërvitin, për shkak të rrogave dhe kontratave. Bile është vënë në pikëpyetje shkuarja në përgatitje në Ohër, e cila është paraparë për pasnesër”, tregon një burim brenda klubit.

Në anën tjetër, kryeshefi ekzekutiv i klubit, Afrim Macula, i ka hedhur poshtë këto pohime. Madje, ai ka thënë se asnjë futbollist nuk guxon t’i bojkotojë stërvitjet, pasi që janë vetë lojtarët që do të pësonin më së shumti në këtë rast. Por, në njëfarë mënyre, ai ka pranuar se brenda taborit bardh e zi ka pakënaqësi nga lojtarët që kërkojnë rrogat.

“Nuk është e vërtetë që lojtarët i kanë bojkotuar stërvitjet. Ai që nuk shkon në stërvitje, do të suspendohet, bile mund ta humb edhe karrierën. Në kontratë është cekur fort mirë se paratë lojtarët do t’i marrin kur të fillojë kampionati e jo siç i kërkojnë ata para kohe”, shpjegoi Macula për Express.

– “Nuk bëhet fjalë për një shumë të madhe. Ndoshta kanë mbetur pa para e për këtë i kërkojnë tash. Askush nga lojtarët nuk guxon të mungojë pa arsye”, vazhdoi ai.

Zyrtari i lartë i këtij klubi insiston se kontingjenti i Hysit do të niset rregullisht dhe i kompletuar për në Ohër të Maqedonisë, ashtu siç ishte paraparë, për ta vazhduar atje fazën përgatitore.

Në orët e mbrëmjes së të enjtes, pronari i klubit, Hysen Sadiku, i ka premtuar trajnerit Arbnor Morina se obligimet ndaj futbollistëve do të kryhen të premten paradite.

Pa kurrfarë dyshimi, Hysi ishte njëri prej ekipeve më të qeta në aspektin financiar vitet e fundit. Mirëpo, si në shumicën e klubeve tjera kosovare, edhe në klubin llapjan është zbuluar ‘virusi’ i quajtur borxh ndaj lojtarëve, të cilët insistojnë se klubi ua ka borxh një rrogë, por edhe paratë e kontratës.

Hysi e ka mbyllur sezonin vjeshtor në pozitën e dytë në Raiffeisen Superligën e Kosovës në futboll, me 33 pikë të grumbulluara, 6 më pak se kryesuesi, Prishtina.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›