Miami, i gatshëm për titull

Dy javë pa filluar play-offi në NBA, është koha që të bëhen llogaritë. Këtë e ka bërë i pari ylli i Miami Heat, LeBron James.
Njëri prej basketbollistëve më të mirë në botë beson se skuadra e tij ka kapacitet për ta fituar titullin në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA.
“Jemi të gatshëm dhe të mobilizuar për play-off. Që nga fillimi i sezonit jetojmë me presionin se duhet të demonstrojmë diçka. Ditë pas dite ne ia dolëm dhe e arritëm objektivin e parë – kualifikimin në play-off”, ka thënë ish basketbollisti i Cleveland.
James insiston se Miami ka edhe dy javë kohë për t’u përgatitur sa më mirë për play-off.
“Kemi edhe pak kohë për të punuar në disa detaje, por ne jemi gati në luftën për titull”, vazhdoi LeBron James i cili këtë sezon ka një statistikë të shkëlqyeshme prej 26,6 pikësh, 7 asistime e 7,6 kërcime për ndeshje.
Treshja e Miamit, James-Wade-Bosh, konsiderohet si treshja e mrekullive. Mbetet të shihet në fund të sezonit nëse do të ketë efekt kjo treshe, e cila deri tash ka funksionuar si është më së miri.