E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi i moçëm

Prishtina me mungesa do ta vizitojë Trepçën në Mitrovicë, me ambicie që t’i fitojë tri pikë, për ta mbajtur distancën prej 9 pikësh ndaj Hysit. Mirëpo, ‘Xehetarët’ kur luajnë me bardhekaltrit gjithmonë u shtohet motivi. Prandaj, edhe ata synojnë që pikët t’i mbajnë në shtëpi. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 03 prill 2011 në ora 12:41

Kryesuesin e tabelës, Prishtinën, do ta presë një punë e vështirë të dielën (sot), kur udhëton në Mitrovicë për t’u përballur me Trepçën, në kryendeshjen e xhiros së 22-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.

Edhe pse kanë kapital prej 9 pikësh, kampionët e vjeshtës do të udhëtojnë drejt Mitrovicës për të fituar. Por, një gjë të tillë e synojnë edhe kampionët aktualë të Kosovës, të cilët me tri pikë të fituara, llogarisin të ‘gozhdojnë’ një vend në pjesën e epërme të tabelës.

“Prishtina ka një ekip mjaft të mirë sivjet. Kam dëgjuar se kanë mungesa, por prapë do ta kemi vështirë dhe nuk i dihet. Sidoqoftë, unë mendoj se nesër do të fitojmë, pasi që luajmë në shtëpi”, theksoi mesfushori i Trepçës, Bardhyl Kaçiu.

Prishtinasit do të jenë të hendikepuar pa mesfushorët Behar Maliqi e Azem Ahmeti. Mirëpo, trajneri Ramiz Krasniqi do të mundohet t’i gjejë alternativat, për të dalë i pamposhtur në këtë duel.

“Si në çdo ndeshje, edhe këtë radhë ne e kemi synim fitoren. Në Mitrovicë do të udhëtojmë me këto ambicie, edhe pse kemi mungesa. Unë si portier e kam për detyrë të mundohem që të jem i pamposhtur, të shohim. Shpresoj që të shkojë gjithçka në të mirë tonën”, theksoi portieri Flamur Neziri.

Pas 21 xhirosh të zhvilluara në Superligë, Prishtina zë pozitën e parë me 48 pikë të tubuara. Kurse, Trepça është e pesta me 31 pikë. Interesante pritet të jetë edhe ndeshja mes Flamurtarit shumë të rrezikuar për t’u larguar nga Superliga dhe Besës cilësore.

Kuqezinjtë synojnë ta shënojnë fitoren e parë pas katër humbjeve të njëpasnjëshme, ndonëse nuk do ta ketë aspak lehtë, sepse Besa synon ta mbajë pozitën e tretë të tabelës. Interesant do të jetë edhe në Merdar, ku Hysi përballet me Vëllaznimin e rrezikuar.

Superliga – xhiroja e 22-të

E diel
Trepça – Prishtina
Ballkani – Trepça ‘89
Ferizaj – Drenica
Hysi – Vëllaznimi
Flamurtari – Besa
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›