Derbi i takon Dinamos, ndalet edhe Tirana
Në javën e tetë, Dinamo ka fituar ndaj Partizanit 2-0 në “superfsidën”, duke u rikthyer në garë për titullin. Një rezultat 2-0 që është përsëritur pas gati një viti, kurse Plaku sërish ka “firmosur” në portën e Shehit, vetëm se këtë herë e ka lënë fushën e lojës më shpejt se të tjerët. Një karton i kuq për gjeste, që Plaku nuk i ka pasur në natyrën e tij, e prishin disi këtë lojtar, i cili ka gjetur golin pas tri javësh, aq sa i është dashur Dinamos për ta fituar një ndeshje. Por derbi nuk ka pasur ngjyrat e finales së 17 majit, sepse problemet e Partizanit, por edhe fillimi jo i mirë i kampionatit nga Dinamo, kanë ulur interesin për këtë derbi. Aq sa dhe numri i shikuesve ishte shumë i ulët, vetëm tribuna kryesore e “Selman Stërmasi” ishte mbushur.
Shkumbini – Tirana 0-0
Është mbyllur në barazim pa gola sfida e djeshme mjaft e rëndësishme e zhvilluar në Peqin mes skuadrës së Shkumbinit dhe asaj të Tiranës. Ishin pikërisht pozitat kryesuese të të dyja skuadrave dhe forma e mirë e tyre, që kishte ndezur një interes vërtetë të madh për këtë sfidë. Mbase pikërisht për këtë motiv, i pranishëm dje në stadiumin e Peqinit ishte edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Një vizitë kjo vërtetë e veçantë, që i ka nxitur edhe më shumë interesimin e publikut vendës. Realisht, Presidenti Topi është i pari qeveritar që ndjek një ndeshje në Peqin e pikërisht për këtë motiv, krerët më të lartë të skuadrës së Shkumbinit kanë lejuar dje hyrjen falas në stadium për të gjithë sportdashësit.
Elbasani-Lushnja 2-0
Pas dy humbjeve rresht (me Besën e Teutën) erdhi dhe fitorja e parë për Elbasanin: 2-0 kundër Lushnjës, e para ndeshje ku verdheblutë shënojnë dy gola gjatë një ndeshje të këtij sezoni. Renato Yshmeri (40’) dhe Merdan Kasollja (79’) ishin dhe autorët e fitores së 3-të sezonale të formacionit të Mirel Josës, që mesa duket i dha fund krizës me një “happy end”. Kjo ishte fitorja e 39-të në 80 takime historike kundër Lushnjës, formacionit që gjatë tetë javëve të para të kampionatit është i vetmi me më shumë humbje: gjashtë të tilla në tetë takime. Në javën e 9-të, Elbasani do të udhëtojë në Shkodër, Lushnja do të presë Teutën.
Teuta - Flamurtari 1-0
Teuta triumfon ndaj Flamurtarit me rezultatin e ngushtë 1-0. Djemtë e teknikut Sulejman Starova arrijnë fitoren e tretë radhazi, duke prekur kështu zonën UEFA. Me 9 pikë të grumbulluara në tri ndeshje, Teuta është skuadra e momentit në Kategorinë Superiore. Durrsakët kanë arritur të fitojnë derbin bregdetar ndaj kuqezinjve, pas një ndeshje tepër të vështirë, fati i së cilës u vendos nga një episod. Ishte minuta e 80-të e takimit ajo që çoi në delir vendësit dhe futi në krizë miqtë nga Vlora. Imeraj ka qenë në vendin e duhur dhe në momentin e duhur, kur ka mposhtur nga një distancë e afërt portierin vlonjat Xhelili. Kaq ka mjaftuar për t’u dhënë vendësve tri pikët e arta.
Plot 8000 të pranishëm në Peqin
Sikurse në takime të tjera, edhe në ndeshjen e djeshme, bashkia e qytetit në bashkëpunim me presidencën kishin përgatitur një atmosferë të jashtë zakonshme. Shumë përpjekje të drejtuesve, të cilat u shpërblyen me një numër rekord spektatorësh. Ashtu siç ishte lajmëruar, hyrja në stadium ka qenë falas, ndaj edhe numri i tifozëve të pranishëm ka qenë mbi 8000 vetë. Fillimi i takimit u duk si një konkurrencë brohoritjesh midis tifozerisë peqinase dhe asaj tiranase. Nga kryeqyteti kishin udhëtuar 200 tifozë.
Presidenti Topi në Shkumbini-Tirana
Në stadiumin e Peqinit, për të parën herë tribuna VIP ka marrë pamjen e saj të vërtetë. Kjo, pasi ajo ka qenë dje e tejmbushur me personalitete. Padyshim që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka qenë dje vizitori më i veçantë në tribunën e stadiumit. Prania e tij ka bërë që edhe siguria në ambientet e tribunës të jetë gjithashtu, në nivele të larta. Nuk mungonin krerët e ekipeve, deputeti i Peqinit, Sula, kryebashkiaku Rrusha, nënprefekti Elezi e donatorët e Tiranës.
Tribuna VIP në derbi, plot me femra
Dje tribuna VIP, përveç drejtuesve të dy klubeve dhe specialistëve të futbollit, ka pasur të “ftuar” dhe bashkëshortet e dinamovitëve. Në tribunën VIP ishin tri kroate, gruaja e trajnerit Zllatko Daliçit, gruaja e qendërmbrojtësit Goran Graniçit, së bashku me dy vajzat, si dhe e fejuara e Frane Petriçeviçit. Bashkë me ta dhe gruaja e boshnjakut Nedim Haliloviç. E të katra së bashku, ato kanë festuar si të gjithë të tjerët fitoren e Dinamos, që vjen pas tri javësh mungesë.
Xhani refuzon ftesën e Sulajt për kafe
Në pushim të ndeshjes, presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj e ka ftuar Xhanin për kafe. Por kreu i klubit të kuq nuk ka pranuar, duke lënë të kuptohet një farë inati që ka patur kundrejt homologut të tij blu. Ndonëse me dorën në gjoks, duke dhënë shenjë, i ka thënë “bosit” dinamovit: “Faleminderit për kafenë...”. E Sulaj ka vazhduar poshtë për kafe, sigurisht i kënaqur nga avantazhi i krijuar prej skuadrës së tij, kur ishte në fitim 1-0.
Pas humbjes, Lushnja shkarkon Malkon
Lushnja humb në Elbasan me rezultatin 2-0. Pas kësaj humbje trajneri i ekipit të Lushnjës Saimir Malko i ka kërkuar dorëheqjen presidentit të këtij ekipi Albert Sanxhaku. Ky i fundit po mendon tani për trajnerin e ri që do të udhëheqë ekipin e Lushnjës në ndeshjet e ardhshme. Ashtu siç pati deklaruar pas ndeshjes me Besën se një humbje tjetër do të ishte “katastrofike” për ekipin e Lushnjës pasi Sanxhaku deklaroi që do të ndërmerrte masa për ekipin.